Ban Ki Moon, shpreh shqetësim për ikjet masive nga Kosova

03.02.2015 12:30

Ban Ki Moon, ka shprehur shqetësimin mbi migrimin e popullsisë nga Kosova, ka mirëpritur konstituimin e kuvendit dhe qeverisë, si dhe ka dhënë një kronologji zhvillimesh për të cilat do të debatojnë...

Në raportin më të ri mbi zhvillimet tremujore në Kosovë, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, ka shprehur shqetësimin mbi migrimin e popullsisë nga Kosova, ka mirëpritur konstituimin e kuvendit dhe qeverisë, si dhe ka dhënë një kronologji zhvillimesh për të cilat do të debatojnë dhe japin vlerësimet e tyre anëtarët e Këshillit të Sigurimit kësaj të premte më 6 shkurt.

Në takimin që do ta kryesojë sipas radhës njëra nga anëtarët e përhershme të Këshillit të Sigurimit, Kina, Kosovën e përfaqëson zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, shkruan Gazeta “Blic”.

Në raportin që përfshin periudhën nga 16 tetori deri më 15 janar, sekretari Ban thekson se pret nga autoritetet e Kosovës që të adresojnë sfidat e shumta me të cilat ballafaqohet vendi.

Ndër hapat e tjerë të rëndësishëm të qeverisë dhe kuvendit, sekretari Ki Moon përmend miratimin e legjislacionit për krijimin e gjykatës speciale, si dhe sugjeron vazhdimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe zbatimin e dispozitave të marrëveshjes së 19 prillit 2013, duke nënvizuar sidomos krijimin e asociacionit të komunave.