Maqedoni
Mungon një nga të pandehurit, anulohet gjykimi për zjarrin në spitalin modular, familjarët: Vetëm anulohet gjykimi, ne duam drejtësi
16.01.2023 11:03
Është shtyrë sërish seanca kryesore për zjarrin në spitalin modular në Tetovë që mori jetën e 14 personave...

Është shtyrë sërish seanca kryesore për zjarrin në spitalin modular në Tetovë që mori jetën e 14 personave, pasi Artan Etemi, njëri nga të akuzuarit, nuk erdhi në sallën e gjyqit. Mbrojtja e tij njoftoi se i akuzuari është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe mendore për shkak se nëna e tij ka vdekur. Gjykimi pritet të vazhdojë me 31 janar. Familjarët e viktimave akuzojnë se drejtësia po vonon e se ka edhe fajtorë të tjerë që nuk janë ulur në bankën e të akuzuarve. Këmbëngulin për hetim ndërkombëtar.
“Duhet të jetë edhe ish-ministri edhe të tjerë pas tij, është një zinxhir i madh i atyre që duhet të akuzohen jo vetëm këta tre persona. Unë kam qenë në dhomën numër 3 kur nisi zjarri, edhe të tjerët ishin aty. Shpresoj që e drejta do të dalë, por gjykimi vetëm anulohet, në këtë shtet nuk ka drejtësi.”, - thanë familjarët.
“S`ka logjikë mos kërkohet hetim ndërkombëtar. Për tre minuta u shkrumbua spitali. Një vit e gjysmë po përgatiten, përse anulojmë gjykimet, kur dëmi është bërë, ndërsa përgjegjësit rrinë në liri, kush do të mbajë përgjegjësi për këto viktima?!”, - u shprehën familjarët.
Protestë në mbështetje të mjekut Boban Vuçevski, që akuzohet për veprën penale të mosveprimit sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë. Protestuesit thonë se mjeku nuk është fajtor për gabimet teknike të dikujt tjetër.
“Këtu ka pasur një gabim teknik dhe mjeku nuk ka lidhje me atë gabim teknik, kjo është vetëm për t'ia hedhur fajin dikujt që nuk është fajtor. Ky mjek në vend që të shpërblehej, që bëri më të mirën, në fakt doli viktimë.”, - tha një protestuese.
“Doktor Boban Vuçevski është gjatë gjithë kohës me ne, asnjëherë nuk ka thënë jo, i është përgjigjur çdo telefonate, kurdo që ka pasur nevojë ka qenë aty.”, - u shpreh protestuesja.
Gjykimi për tragjedinë në spitalin modular, filloi më 7 dhjetor të vitit të kaluar, pasi nga shtatori gjykimi u shty disa herë. Në seancën e fundit më 27 dhjetor 2, përfaqësuesit e Prokurorisë prezantuan titujt e provave shkresore që janë dorëzuar me aktakuzë, ndërsa për këtë gjykim të fundit, ishte planifikuar që të ketë prova verbale nga dëshmitarët , me propozim të prokurorëve. Të akuzuarit, drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi, mjeku Boban Vuçevski dhe përfaqësuesi i Spitalit klinik të Tetovës si person juridik, në fillim të gjykimit theksuan se e kuptojnë akuzën, por nuk e pranojnë fajësinë dhe se nuk i kanë kryer veprat për të cilat akuzohen.
VISAR SADIKI
