Maqedoni
Refuzohen ankesat, konfirmohet përzgjedhja e konsulentit për Korridorin 8
16.01.2023 11:54
Komisioni për Ankesa mbi Furnizimet Publike ka hedhur poshtë ankesat e parashtruara nga dy kompanitë....

Komisioni për Ankesa mbi Furnizimet Publike ka hedhur poshtë ankesat e parashtruara nga dy kompanitë, “Hill” dhe “Ingerop” lidhur me përzgjedhjen e konsulentit për transaksion financiar dhe mbikëqyrësit e punimeve të Korridorit 8 dhe 10-D.
Me këtë vendim, tejkalohen të gjitha pengesat administrative dhe procedurale si dhe konfirmohet përzgjedhja e kompanisë IRD si konsulentë dhe mbikëqyrëse e punimeve.
Konsulenti IRD do të fillon negociatat me konzorciumin “Bechtel Enka” më së voni në muajin shkurt pas çka pritet dhe firmosja e kontratës dhe miratimi nga ana e Qeverisë.
Pritet që deri në muajin mars të nënshkruhet kontrata dhe të fillojnë punimet për ndërtimin e Korridorit 8.
Përpos Korridorit 8, kompania IRD , ka nënshkruar kontratë me Ndërmarrjen Publike për Infrastrukturën Hekurudhore të Maqedonisë së Veriut për kryerjen e mbikëqyrjes së të gjitha punëve në përputhje me Kushtet e Kontratës FIDIC në Korridorin 8.
IRD gjithashtu është përzgjedhur si mbikëqyrëse e Rehabilitimit të Rrugëve Shtetërore A1, seksioni Milladinovci – Kumanovë dhe mbikëqyrëse në përfundimin e Korridorit 10 deri në nivelin e Autostradës – Seksioni Demir Kapi – Smokvicë dhe shumë projekteve tjera në vend, bashkë edhe me projektin e impiantit të ujërave të zeza në Shkup.
