Maqedoni

Kovaçevski: Këtë vit do të fillojë ndërtimi i katër autostradave

16.01.2023 15:33

Dy kilometrat e autostradës Shkup-Bllacë janë realizuar në përqindje prej 79%...

Dy kilometrat e autostradës Shkup-Bllacë janë realizuar në përqindje prej 79%, kurse faza e dytë e ndërtimit të 10 kilometrave është në përfundim të projektimit. Sa i përket autostradës Kërçovë – Ohër, kryeministri Kovaçevski tha se atje janë realizuar 75% e ndërtimit. Për vitin 2023 Kovaçevski paralajmëroi fillimin e punimeve të katër autostradave. 
 
“Këtë vit do të fillojë ndërtimi i Korridorit 10-D dhe Korridorit 8, përkatësisht ndërtimi i autostradës Gostivar - Kërçovë, ndërtimi i autostradës Tetovë - Gostivar, ndërtimi i autostradës Trebenisht- Strugë – Qafë Thanë dhe ndërtimi i magjistrales Prilep - Manastir. Gjatë mandatit të kësaj Qeverie në vend janë ndërtuar dhe rehabilituar një numër rekord rrugësh. Nëse në 11 vitet e qeverisjes së kaluar janë ndërtuar dhe rehabilituar 650 km rrugë, tani në 5 vite kemi 1300 km infrastrukturë rrugore, të rehabilituara dhe të ndërtuara, në të cilat ne si shtet investuam mbi 1 miliard euro.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Për sa i përket ndërtimit dhe rikonstruksionit të infrastrukturës hekurudhore, procesi i lidhjes hekurudhore dhe përfundimit të Korridorit 8 është përshpejtuar.
 
“Po fillojmë me ndërtimin e hekurudhës për në Republikën e Bullgarisë, me një investim total prej më shumë se 600 milionë euro, e cila do të ndërtohet në 3 faza. Ky është një investim historik, më i madhi ndonjëherë. Ne ofrojmë një hekurudhë alternative për kompanitë vendase për transport më të lirë dhe më të shpejtë dhe lidhim portet e Burgasit dhe Durrësit.”, - u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Nga VMRO-DMNE reagojnë duke thënë se projektet të cilat Kovaçevski përmend, janë të njëjtat që përsëriten disa vite, e që nuk kanë përfundim konkret. 
 
“Kovaçevski paturpësisht premton sërish të njëjtat investime kapitale dhe bum ekonomik në Maqedoni. Sërish dëgjojmë të njëjtat projekte si autostrada Kërçovë-Ohër, autostrada prej dy kilometra për në Kosovë, hekurudha etj.. Dallimi i vetëm është se në premtimet për këtë vit nuk përmendet ndërtimi i qendrës së re klinike në Shkup.”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. 
 
Nga VMRO-DPMNE shtojnë se qeveria e Kovaçevskit nuk ka as kapacitet dhe as njohuri për të realizuar projekte kapitale në vend. 
 
ERSAN PAJAZITI