Seancë mbikëqyrëse për zbatimin e ligjit për personat e paregjistruar
Komisioni Parlamentar për Sistemin Politik....

Komisioni Parlamentar për Sistemin Politik miratoi vendimin për mbajtjen e seancës mbikëqyrëse, e cila duhet të evidentojë lëshimet nga moszbatimi i ligjit për personat e paregjistruar nga Regjistri Civil, si dhe të përcaktojë një inspektim dhe vizitë në terren të rreth 700 personave të paregjistruar nga kjo kategori, veçanërisht nga komuniteti rom, me qëllim regjistrimin më të lehtë dhe më të shpejtë të tyre në regjistrin e të lindurve.
Deputetja Latife Shikovska, e cila ka dorëzuar iniciativën, theksoi se pret që në seancën mbikëqyrëse të jepen informacione për pengesat, pse nuk zbatohet ligji që referohet Administratës për amzë të të lindurve.
“Më 30 qershor 2021, Kuvendi miratoi ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për personat e paregjistruar në regjistrin e të lindurve, duke e shtyrë kështu afatin për regjistrimin e kësaj kategorie personash. Dyshoj në zbatimin e drejtë të dispozitave të nenit 4 të Ligjit për personat e paregjistruar nga regjistri civil.”, - deklaroi deputetja e LSDM-së, Latife Shikovska.
Kryetarja e komisionit, Sonja Mirakovska, tha se bëhet fjalë për një seancë mbikëqyrëse mjaft komplekse.
“Përbëhet nga 33 hapa, të gjithë duhet të përfshihen në punë, në propozime se kush do të marrë pjesë, kë do të ftojmë përmes Qeverisë, cilët janë bartësit nga institucionet që duhet të na japin përgjigje, edhe organizatat joqeveritare të cilat besojmë se do të ndihmojnë në pjesëmarrjen në këtë seancë mbikëqyrëse.”, - theksoi kryetarja e komisionit, Sonja Mirakoska.
Sipas saj, nëse do të fillojë një diskutim mbikëqyrës dhe nuk do të arrihen përfundime, të cilat komisioni do të duhet t'i ndjekë dhe të luftojë për zbatimin e tyre, atëherë ato nuk do të kenë asnjë efekt. (Naim Ramadani, TVM2)
