Maqedoni

Shaqiri: Të plotësohen 180 ditët e punës

16.01.2023 16:09

Sipas të gjitha gjasave, nxënësit këtë vit do të mësojnë deri më 14 qershor....

Sipas të gjitha gjasave, nxënësit këtë vit do të mësojnë deri më 14 qershor. Për shkak të vazhdimit të pushimit dimëror për më 23 janar do të vazhdohet edhe mbarimi i vitit shkollor. Ministri i arsimit, Jeton Shaqiri vlerëson se sipas ligjit duhet të ketë mësim gjatë 180 ditëve arsimore. Shtoi se për shkak të funksionimit më të mirë të shkollave kanë vendosur që gjysëmvjetori i dytë të fillojë prej 23 janarit.
 
“Për funksionim më të mirë të procesit, për shkak se 18 janari është e mërkurë, 19 janari është festë për pjesën më të madhe të qytetarëve dhe i 20 është e premte, vendosëm që gjysmëvjetori i dytë të fillojë të hënën dhe të punohen të gjitha 180 ditët e punës deri në fund të këtij gjysmëvjetori, që do të thotë se edhe nëse ka më shumë ditë se i 10-ti, që janë tri ditë pune, nuk shoh ndonjë arsye të ketë ndonjë problem.”, - deklaroi ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri.
 
Nga SAShK thonë se nuk është e pranueshme për nxënësit të vijnë pas 10 qershorit nëpër shkolla. Sipas tyre arsyeja që qeveria dhe ministria kanë marrë vendim për gjysmëvjetorin e dytë është për shkak të kursimit të energjensave dhe parandalimit të përhapjes së gripit. 
 
“Do të ishte më e pranueshme që secila shkollë dhe komunë të bëjnë plan si ti kompensojnë ato ditët apo orët e humbura mësimore. Supozoj me disa aktivitete të cilat mund të realizohen gjatë vitit shkollor të gjysmëvjetorit të dytë, eventualisht të punohet ndonjë e shtunë. Në atë drejtim ne kemi edhe propozimin tonë dhe mund t’u shërbejë dhe të shqyrtohet nga ministri.”, - u shpreh Jakim Nedellkov nga SAShK-u. 
 
Për orët e humbura mësimore në gjysmëvjetorin e parë, në shkollat ku ka pasur paralajmërime për bomba, Shaqiri tha se mësimi online nuk është zgjidhje e problemit, pasi nxënësit përsëri duhet të kthehen nëpër shkolla. 

BELINDA KOKA ADEMI