Maqedoni
Osmani nga Ukraina: Rusia t’u kthehet parimeve të OSBE-së
16.01.2023 16:23
Sulmet ndaj objektivave civile në Ukrainë nuk kanë asnjë justifikim...

Sulmet ndaj objektivave civile në Ukrainë nuk kanë asnjë justifikim. Federata ruse të ndalojë luftën dhe të hap rrugën e kanaleve diplomatike për të zgjidhur sfidat. Kjo ishte thirrja e ministrit të jashtëm Bujar Osmani në Ukrainë, në cilësinë e kryesuesit me OSBE- në. Osmani me ngulm pohon sërish se fokusi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim do të jetë llogaridhënia për të gjitha krimet e kryera mbi popullatën civile ukrainase, duke përmendur edhe sulmin e fundit në Dnipro, ku pati viktima civile dhe fëmijë të plagosur.
“Duke qëndruar këtu si kryesues i OSBE-së, i bëj thirrje Federatës ruse që ta ndalojë këtë luftë, t’i tërheq trupat e saj nga Ukraina, t’i përkushtohet parimeve dhe vlerave të OSBE-së dhe t’i kthehet sërish diplomacisë. Çdo jetë e humbur apo e ardhme e rrënuar është çmim shumë i lartë i paguar nga ky popull. Maqedonia e Veriut në krye të Organizatës, do të shërbejë si gardian i parimeve të dakorduara të OSBE-së. Ne do t’i mbështesim të gjitha iniciativat që do të çojnë në një paqe të qëndrueshme, duke siguruar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht.”, - deklaroi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Kuleba: Presim ndihmën e RMV-së si kryesuese e OSBE-së
Ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmitry Kuleba kërkon ndihmën e Maqedonisë së Veriut, që në kuadër të OSBE-së, të përkushtohet në gjetjen e fëmijëve të kidnapuar nga federata ruse.
“Biseduam për atë se si t’i ndërpresim provokimet ruse, të cilat mund ta shkatërrojnë rendin e OSBE-së me sulmin e Ukrainës. Nga kryesuesi i OSBE-së kërkuam të përqendrohen tek fëmijët e kidnapuar ukrianas nga okupatori. OSBE-ja mundet dhe presim të veprojë për ndalimin e kidnapimit të fëmijëve.”, - u shpreh ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba.
Në takime me zyrtarët ukrainas të ministrit Osmani, me shpresë se këtë vit do të jemi dëshmitarë të kthimit të paqes në Ukrainë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
