Aplikacionet për cilësinë e ajrit, Nuredini: Shihni të gjitha, mos besoni në gjithçka
Të gjitha aplikacionet që tregojnë për cilësinë e ajrit....

Të gjitha aplikacionet që tregojnë për cilësinë e ajrit janë të dobishme megjithatë të dhënat e sakta japin vetëm stacionet matëse për ndotjen e ajrit, thotë ministri i ambientit jetësor, Naser Nuredini .
Sipas tij, të gjitha stacionet matëse në vend i plotësojnë standardet ndërkombëtare dhe ligjet janë në harmoni me direktivat evropiane, ndërsa renditja e vendit si vendi më i ndotur në botë mund të ketë edhe një sfond komercial, thotë ai.
“Stacionet tona matëse në vend, ne kemi 21 plus një stacion matës mobil, janë të gjitha mbi standardet e Agjencisë Evropiane të Mjedisit, janë stacione matëse shumë të shtrenjta, mbi 100 mijë euro. Ligjet tona janë të harmonizuara me direktivat evropiane. Stacionet tona matëse janë të vetmet në vend që japin të dhëna të sakta, vitin e kaluar investuam në një stacion të ri matës dhe të gjitha instrumentet në ato stacione matëse tashmë funksionojnë.”, - deklaroi ministri i ambientit jetësor, Naser Nuredini.
Për momentin janë në funksion të gjitha stacionet matëse të Ministrisë, ndërsa ministri tha se qytetarët për gjendjen mund të informohen në air.moepp.gov.mk. Megjithatë, kur u përpoqëm të shikonim gjendjen e ajrit, faqja nuk funksiononte. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)
