Botë

Gripi më agresiv se Covid-19 në Shqipëri, mbi 14 mijë të prekur në një javë

17.01.2023 11:12

Mbi 14 mijë persona janë prekur nga gripi dhe infeksionet e tjera respiratorë vetëm javën e fundit në Shqipëri

Mbi 14 mijë persona janë prekur nga gripi dhe infeksionet e tjera respiratorë vetëm javën e fundit në Shqipëri. Instituti i Shëndetit Publik raporton për një rritje të sëmundjes në popullatë nga bashkëqarkullimi i virozave, gripit dhe nënvarianteve të Covid-19 njëkohësisht.
 
Nga ky institucion thonë se piku i infektimeve nga gripi dhe nëntipet e tij ende nuk është arritur. “Gripi është me disa nënvarianteve, “AH1”, i ashtuquajturi pandemik, “AH3” dhe nëntipi B”, thotë Tomini për A2 CNN. Kjo e rëndon situatën e infeksioneve respiratorë. Por nuk mund të bëhet dallimi nga vetë pacientët nëse janë me grip apo me Covid.
 
Sipas ekspertëve, edhe gripi, ashtu si Covid-19, mund të shkaktojë forma të rënda dhe humbje jete, ndaj bëjnë thirrje për kujdes.
 
Ende nuk ka sinjale për praninë e nënvariantit “Kraken” të “Omicron” apo mutacioneve të tjera që kanë rënduar situatën në Kinë. Megjithatë, mjekë shqiptarë që punojnë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës flasin për nevojën e aplikimit të masave shtesë ndaj qytetarëve që vijnë nga Kina, si dhe për vaksinën e adaptuar anti-Covid.
 
Ndryshe nga shumë vende në Evropë që kanë kthyer testimet për Covid-19 ndaj udhëtarëve që vijnë nga Kina, komiteti i Ekspertëve në Shqipëri nuk ka vendosur kufizime. Ndërkohë që lëvizjet me Kinën pritet të rriten për shkak të Vitit të ri kinez, në fillim të shkurtit.