Botë
555 vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu
17.01.2023 09:44
17 janari i vitit 2023 shënon 555-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu....

17 janari i vitit 2023 shënon 555-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Heroi Kombëtar i Shqiptarëve vdiq në Lezhë, në 17 janar të vitit 1468, pasi vulosi me veprat e tij rezistencën kundër turqve pushtues në shekullin e 15. Ai ka hyrë në histori si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte ushtrinë osmane, nga më të organizuarat dhe më modernet e kohës.
Ai udhëhoqi luftën për pavarësi të kombit shqiptar kundër pushtuesit osman, si dhe punoi për bashkimin politiko-shtetëror të popullit shqiptar. Për 25 vjet, nga viti 1443 deri në vitin 1468, ushtria 10,000 vetëshe e tij luftoi e fitoi kundër forcave osmane.
Skëndërbeu konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të përparonte në pushtimin e Evropës Perëndimore.
Vdekja e Skënderbeut nënkuptoi fundin e pavarësisë së Shqipërisë, që vetëm falë tij arriti të shfaqej si një shtet i bashkuar dhe i pavarur. Kruja rezistoi vetëm një rrethim tjetër pa Prijësin e saj.
Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, populli shqiptar kurdoherë ka parë shembullin dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, të atdhedashurisë dhe mospërkuljes ndaj pushtimit.
