Maqedoni

Pendarovski në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos

17.01.2023 11:47

Presidenti Stevo Pendarovski, merr pjesë në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror, në Davos të Zvicrës...

Presidenti Stevo Pendarovski, merr pjesë në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror, në Davos të Zvicrës. Në forumin që do të zgjasë deri më 20 janar, janë mbledhur liderë nga politika, biznesi dhe shoqëria civile për të debatuar gjendjen e botës dhe prioritetet per vitin vijues. Në të marrin pjesë më shumë se 1500 biznesmenë nga të gjitha industritë, si dhe një sërë institucionesh financiare.
 
Presidenti Pendarovski ka diskutuar tashmë në panel-sesionin “Në mbrojtje të Evropës” i mbajtur këtë mëngjes.
 
“Pika e brishtë në arkitekturën e Evropës dhe rreziku nga Kremlini është Ballkani Perëndimor. Shtetet e Bashkuara duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje situatës në rajon,  tha presidenti Pendarovski.
 
​​Në të njejtin panel diskutuan  edhe  presidentët e Polonisë dhe Lituanisë, Andrzej Duda dhe Gitanas Nauseda, ministri i punëve të jashtme i Spanjës Jose Manuel Alvarez Bueno dhe drejtuesja e Forcave Demokratike të Bjellorusisë, Svetlana Tikhanouskaya.Nuk dihet ende nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do t’i drejtohet Forumit si vitin e kaluar, ndërsa është e sigurt që presidenti rus Vladimir Putin nuk do të mbajë fjalim.
 
Presidenti i Forumit Ekonomik Botëror, Borge Brende, deklaroi se takimi i Davosit zhvillohet në sfondin e gjendjes më të komplikuar gjeopolitike dhe ekonomike. “Ekonomia botërore duhet të shmangë një recesion global, ngadalësimin e rritjes ekonomike, inflacionin e lartë dhe borxhet në rritje”, tha ai.
 
Për herë të parë pas pandemisë, takimi i Davosit zhvillohet në kushte normale si konferencë me prani fizike të pjesmarrësve.