Botë
Olena Zelenska sjell Ukrainën në qendër të vëmendjes në Davos
17.01.2023 12:50
Zonja e Parë e Ukrainës ka sjellë vendin e saj në qendër të vëmendjes në Davos ku po mbahet Forumi Ekonomik Botëror....

Zonja e Parë e Ukrainës ka sjellë vendin e saj në qendër të vëmendjes në Davos ku po mbahet Forumi Ekonomik Botëror.
Olena Zelenska u shpreh gjatë fjalës së saj se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës po kontribuon në kolapsin e botës që kemi njohur deri më sot.
Në Forumin Ekonomik Botëror janë mbledhur sot politikanë, manjatë biznesi dhe miliarderë nga vende të ndryshme të botës.
“Ne po përballemi me kolapsin e botës siç e njohim, me mënyrën se si jemi mësuar me të ose me atë që aspirojmë”, tha zonja e parë e Ukrainës të martën gjatë fjalimit të saj në Davos, Zvicër.
“Agresioni rus nuk kishte për qëllim kurrë të kufizohej në kufijtë e Ukrainës, kjo punë do të shkojë më tej dhe do ta bëjë krizën më të gjerë nëse agresori nuk humbet”, shtoi ajo.
Zelenska iu referua gjithashtu sulmit vdekjeprurës në qytetin qendror të Ukrainës, Dnipro të shtunën, kur një raketë ruse goditi një bllok banimi duke u marrë jetën të paktën 44 personave, mes tyre edhe një fëmijë.
“Nuk ka asgjë jashtë kufijve për Rusinë. Ndërsa flasim, në qytetin tonë të Dnipros, njerëzit ende lëvizin rrënojat e një zone banimi, të një shtëpie që u shkatërrua nga një raketë anti-anije. Kjo raketë është ndërtuar për të shkatërruar aeroplanmbajtës dhe është përdorur kundër infrastrukturës civile”.
