Përkujtohet Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, 555 vjetori i vdekjes së heroit tonë kombëtar
17 janari shënon 555-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar....

17 janari shënon 555-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu. Ai për 25 vjet udhëhoqi luftën për pavarësi kundër pushtuesit osman dhe punoi për bashkimin politiko-shtetëror të popullit shqiptar e ndërkohë ishte heroi që pengoi Perandorinë otomane të përparonte në pushtimin e Evropës Perëndimore.
Rama: Historia e Skënderbeut do të rishkruhet
Kjo ditë është shënuar me manifestime të shumta në trojet shqiptare. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama thotë se në të ardhmen historia e Skënderbeut do të rishkruhet në bazë të fakteve të reja.
“Historia është e destinuar të rishkruhet e të rilexohet në kohë të ndryshme e në kontekste të ndryshme që diktohet nga fakte të reja dhe me siguri një ditë do të kemi një rilexim tjetër të historisë së Skënderbeut.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ahmeti: Skëndërbeu i takon Evropës
Nga Shkupi ku gjithashtu u shënua kjo datë e rëndësishme, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, e cilësoi Skëndërbeun si shembull frymëzimi se si drejtohet politika e brendshme dhe e jashtme e një kombi e si një figurë emblematike e nderuar nga e gjithë Evropa.
“Skëndërbeu i takon Evropës. Dhe ne si shqiptarë jemi krenarë që i madhi Skëndërbe, kalon të gjithë kufijtë.”, - theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Vdekja e Skënderbeut nënkuptoi fundin e pavarësisë së Shqipërisë, që vetëm falë tij arriti të shfaqej si një shtet i bashkuar dhe i pavarur.
Kruja rezistoi vetëm një rrethim tjetër pa prijësin e saj.
Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, populli shqiptar kurdoherë ka parë shembullin dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, të atdhedashurisë dhe mospërkuljes ndaj pushtuesve. (Leunora Kaliqi, TVM2)
