Maqedoni
Zgjedhjet e parakohshme, Ahmeti: Shumica stabile, të punojmë pro Evropës
17.01.2023 14:13
Lideri i BDI –së, Ali Ahmeti, nuk mendon se zgjedhjet e parakohshme i bëjnë mirë vendit në një kohë kur i gjithë përqendrimi sipas tij...

Lideri i BDI –së, Ali Ahmeti, nuk mendon se zgjedhjet e parakohshme i bëjnë mirë vendit në një kohë kur i gjithë përqendrimi sipas tij, duhet të jetë në krijimin e një fronti të përbashkët evropian, ku secili duhet të japë kontribut. Ahmeti nuk deshi të flasë për ndarjen e resorëve, nëse ASh bëhet pjesë e Qeverisë, sepse sipas tij, është akoma herët të bisedohet për këtë çështje.
“Mendoj se shumica parlamentare është stabile, mirëpo ka një qasje më të përpunuar, më të avansuar për një aleancë për Evropën e bashkuar dhe ta shohim se si do të na funksionojë dhe si do ta realizojmë këtë filozofi. Nuk ka të bëj me frikë të BDI-së, BDI-ja pa diskutim është fitues i zgjedhjeve.”, - deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Akuzat e të pakënaqurve, Ahmeti: E kanë gabim, por prapë janë pjesë e BDI-së
Sa i takon pakënaqësive të një grupi të funksionarëve brenda kampit integrist, ai i cilëson të gabuara qasjet e tyre.
“Nga BDI askush nuk është përjashtuar deri më tani, këto janë shokë dhe bashkëpunëtorë të mi. E kanë shumë gabim qasjen dhe analizat që i bëjnë. BDI mbas të gjitha rrethanave, është një nga partitë më demokratike, më e hapur në këto hapësira dhe akoma më shumë do punojmë që të jemi sa më transparent, të jemi sa më llogaridhënës.”, - theksoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Me gjithë mendimin për bashkëpunëtorët që po dalin kundër ekzekutivit, Ahmeti është i bindur se ata mbeten pjesë e padiskutueshme e frontit “Pro Evropian”.
FITIM KRYEZIU
