Maqedoni
Zgjerimi i shumicës, VMRO: Kush e shtyn ASh-në të hyjë në qeveri?
17.01.2023 16:12
Zgjerimi i mundshëm i shumicës parlamentare, me përfshirjen e ASh-së në koalicionin qeverisës...

Zgjerimi i mundshëm i shumicës parlamentare, me përfshirjen e ASh-së në koalicionin qeverisës, është në disfavor të partive të tjera opozitare të cilat pretendojnë rrëzimin e kësaj qeverie. Këto zëra kanë ngjallur interesin e VMRO-DPMNE-së për këtë veprim të mundshëm të ASh-së, madje VMRO-DPMNE, ka kërkuar publikisht nga kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, të tregojë se cili është faktori ndërkombëtar, i cili kërkon që ASh të bëhet pjesë e Qeverisë.
“Po pyesim publikisht. Kush është ai faktor ndërkombëtar që kërkon Aleanca të hyjë në qeveri? Nëse Taravari hesht dhe nuk e thotë, do të thotë se Taravari nuk është i sinqertë dhe ka arsye tjetër pse dëshiron të hyjë në Qeveri.”, - deklaroi zëdhënës i VMRO-DPMNE-së Naum Stoilkovski.
ASh: Janë partnerët strategjik të RMV-së
Rezoni shtetëror duhet të mbizotërojë mbi kalkulimet politike, u përgjigjën nga ASh-ja. Sqarojnë se partnerët e ASh-së janë partnerët strategjik të RMV-së, që kanë përkrahur në vazhdimësi rrugëtimin e vendit drejt NATO-s dhe BE-së dhe se janë po ata që presin heqjen e barrierës së fundit për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE: ndryshimet kushtetuese.
“RMV nuk ka alternativë tjetër pos anëtarësimit në BE. Neve na vjen keq që VMRO-DPMNE ka harruar historinë e saj të afërt dhe nuk ka nxjerrë mësime nga gabimet e veta. Kalkulimet elektorale në çështje strategjike janë papjekuri politike për një parti që pretendon se është shtetndërtuese. Pyesim VMRO-DPMNE, cilat janë ato forca ose shtete që u kërkojnë atyre të kundërtën e kësaj dhe zbatimin e skenarëve që shpien shtetin dhe rajonin në një rrugë të rrezikshme?”- thuhet në përgjigjen me shkrim të ASh-së.
SHPËTIM NUREDINI
