Më shumë se 70 sulme me raketa, Moska sulmon vazhdimisht qytetet lindore
Luftimet intensive vazhdojnë nëpër disa zona të Ukrainës....

Luftimet intensive vazhdojnë nëpër disa zona të Ukrainës, ndërsa Moska ka nisur një seri tjetër sulmesh me raketa. Më shumë se 70 sulme me raketa u raportuan në 24 orët e fundit, në më shumë se 15 vendbanime në Soledar e Avdiivka.
Granatimet e pamëshirshme ruse kanë shkatërruar plotësisht qytetin Bakhmut.
“Luftime shumë të rënda po vazhdojnë në dy sektorët kyç të Bakhmut dhe Avdiivka. Armiku po sulmon vazhdimisht. Ne po përpiqemi të ruajmë pozicionet tona. Trupat ruse janë aktive gjatë natës, ne kemi shumë nevojë për pajisje për shikim natën.”, - u shpreh analisti ushtarak ukrainas, Oleh Zhdanov.
Rusia vazhdon të përdorë grupin ushtarak privat Wagner – i njohur për pamëshirshmërinë e tij. Sipas zyrtarëve ukrainas, Moska “përpiqet të bëjë një të ashtuquajtur shtytje përfundimtare” në javët e ardhshme.
“Ne po përgatitemi sepse Rusia në përvjetorin e saj pritet të shtojë sulmet. Pyetja e parë dhe e fundit ka të bëjë gjithmonë me armët dhe ndihmën për të mposhtur këtë agresor që pushtoi vendin tonë.”, - theksoi sekretari i këshillit të sigurimit të Ukrainës, Oleskiy Danylov.
Ukraina ka paralajmëruar për javë të tëra se Rusia po planifikon një ofensivë të re në fillim të vitit 2023. Trupat ruse dhe bjelloruse kanë kryer stërvitje të përbashkëta ushtarake në territorin bjellorus, duke e bërë Ukrainën të forcojë mbrojtjen e saj përgjatë kufirit të saj verior. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
