Botë
GJND: as Serbia as Kroacia nuk kanë kryer gjenocid
03.02.2015 15:53
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka hedhur poshtë paditë e Kroacisë dhe Serbisë për gjenocid...

Kryesuesi i i gjyqtarëve të GJND-së, Peter Tomka, e ka lexuar verdiktin në Pallatin e Paqes në Hagë, në bazë të të cilit as Serbia e as Kroacia nuk kanë kryer gjenocid kundër kroatëve, përkatësisht serbëve, gjatë luftës që zgjati nga viti 1991-1995.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, e ka përshkruar këtë zhvillim të sotëm si një nga ngjarjet më të rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe.
Kroacia e ka dërguar rastin një GJND në vitin 1999, duke e akuzuar Serbinë për gjenocid gjatë luftës së viteve 1991-1995.
Kroacia ka thënë se Serbia është fajtore për spastrim etnik dhe për një formë të gjenocidit në luftën që ka bërë që mijëra kroatë të zhvendosen, të vriten, torturohen dhe pronat e tyre të shkatërrohen.
Ndërsa Beogradi e ka paraqitur një kundërpadi në vitin 2010, me pretendimin se rreth 200 mijë serbë etnikë janë detyruar të zhvendosen, kur Kroacia kishte filluar operacionin ushtarak në kërkim të territoreve të saj.
Por, GJND i ka vlerësuar si të pabaza akuzat.
