Maqedoni

Popovski: të shfrytëzojmë energjinë për integrimet

03.02.2015 15:56

Nga një janari i këtij viti, Maqedonia zyrtarisht ka filluar me kryesimin e Nismës Qendrore të Evropës...

Nismë kjo që merret me mbështetjen e vendeve aspirate për në BE. Për këtë qëllim, sot është realizuar edhe takimi i parë i koordinatorëve nacional të vendeve anëtare në Shkup. Sekretari i përgjithshëm, Xhovani Karaçovo, tha se prioritet kryesor i kësaj organizate mbetet mbështetja e vendeve gjatë procesit të tyre integrues.
 
“Qëllimi kryesor i Nismës Qendrore Evropiane është që t’i ndihmojë vendet të cilat akoma nuk janë integruar në BE për ta vazhduar rrugën e tyre në këtë drejtim. Prioritet i kësaj iniciative është zhvillimi infrastrukturor”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i CEI, Xhovani Karaçovo.
 
Ndërkohë, ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski, prezantoi tre prioritetet kryesore gjatë kryesimit me Nismën Qendrore Evropiane.
 
“Do të shfrytëzohet për dinamizmin e agjendës në rajonin tonë. Dimenzioni i dytë ka të bëjë me përmirësimin e infrastrukturës, në këtë pjesë pritet një angazhim më i madh i Bankës Evropiane për Zhvillim, veçanërisht për korridorin 8, që për Maqedoninë ka një domethënie të madhe për t’u lidhur me Shqipërinë dhe Bullgarinë dhe komponenta e tretë ka të bëjë me biznes-komponentën, e cila duhet t’i japë një shtytje më të madhe sektorit privat”- tha ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.
 
Në pyetjen e gazetarëve nëse zhvillimet e fundit politike në vend mund të ndikojnë në procesin e dialogut në nivel të lartë që po zhvillon Maqedonia me BE-në, ministri Popovski deklaroi se sa i përket perceptimit gjithsesi se nuk është pozitiv, duke shtuar se integrimi i vendit në BE është shumë i rëndësishëm, rreth të cilit duhet shpenzuar e gjithë energjia.
 
Ndërsa Xhovani Karaçovo tha se kjo organizatë nuk komenton zhvillimet politike në vende të caktuara.
 
NAIM RAMADANI