Botë

Bie helikopteri mbi një çerdhe në Kiev, 18 viktima, mes tyre 3 fëmijë dhe 3 funksionarë

18.01.2023 13:50

Të paktën 18 persona kanë humbur jetën, pas përplasjes së një helikopteri në periferi të Kievit të mërkurën....

Të paktën 18 persona kanë humbur jetën, pas përplasjes së një helikopteri në periferi të Kievit të mërkurën. Helikopteri, u rrëzua pranë një çerdheje fëmijësh, e cila më pas është evakuuar. Në mesin e viktimave janë edhe tre fëmijë, 15 fëmijë të tjerë kanë marrë lëndime, bashkë me dhjetë të tjerë të rritur. Nëntë nga të vdekurit ishin në bordin e helikopterit, përfshirë ministrin e brendshëm të Ukrainës, Denys Monastyrsky, zëvendësministrin e brendshëm, Yevgeniy Yenin dhe sekretari i shtetit, Yurij Lubkovic.
 
“Dëgjuam një  zhurmë të madhe mbi shtëpi. Dhe pastaj 5 minuta më vonë, pati një shpërthim, një flakë e madhe. Helikopteri mori flakë.”, - tha një dëshmitare, Vira Sebalo.  
 
“Filluam të ndihmojmë, morëm  tre fëmijë, 6 dhe 7 vjeç.”, - u shpreh një dëshmitar, Andrii.
 
"U dhamë karamele, i qetësuam, i shkruam emrat, i pyetëm se çfarë u dhemb. Ata kishin vetëm gërvishtje dhe mavijosje. Gjetëm prindërit dhe kujdestarët e tyre dhe i dorëzuam.", - tha një dëshmitar tjetër, Hlib.
 
“Helikopteri ra mbi objektin më të vogël, se shumë pranë kishte një ndërtesë 10 katëshe. Mendoj se  piloti bëri një akt heroik dhe e drejtoi  helikopterin në ndërtesën më të vogël për sa më pak viktima.”, - u shpreh një tjetër dëshmitare, Teplova Raisa.
 
Parlamenti evropian solidarizohet me Ukrainën dhe familjet e viktimave.
 
“Mendimet tona janë me të gjithë njerëzit e guximshëm të Ukrainës, me familjet dhe njerëzit e dashur të ministrit Monastyrsky dhe zëvendësit të parë Yenin, me fëmijët dhe të gjithë ata që u vranë tragjikisht. Ne do të qëndrojmë pranë tyre.”, - deklaroi presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola. 
 
Nuk dihet ende se çfarë e shkaktoi rrëzimin e helikopterit. Nuk kishte asnjë koment nga Rusia, trupat e së cilës pushtuan Ukrainën shkurtin e kaluar. As  zyrtarët ukrainas nuk iu referuan ndonjë sulmi rus në atë zonë në atë kohë.
 
BELINDA KOKA ADEMI