Akuza për ndotjen e ajrit, Qyteti i Shkupit me padi penale ndaj “Titan Usje”
Qyteti i Shkupit ka dërguar padi penale...

Qyteti i Shkupit ka dërguar padi penale kundër çimentores “Titan Usje” dhe personit përgjegjës Boris Hrisafov, të cilit i kërcënohet dënimi me burg, pasi që nuk i kanë realizuar detyrimet e dhëna me lejen A - të integruar.
Kjo në përputhje me nenin 234 të Kodit Penal është padi për vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës.
“Çimentorja “Titan Usje”, ka lëshuar dukshëm koncentrim më të madh të grimcave PM10 nga kaldajat për ngrohje të cilat kanë punuar me naftë, në vend të gazit natyror, gjatë matjes së realizuar më 3 dhe 4 janar. Gjegjësisht, nga oxhaku, në vend të maksimumit të lejuar të 50 mikogramëve, janë lëshuar 121 mikogram në metër kub për orë.”, thuhet në deklaratën e Qytetit të Shkupit.
Informojnë se është vërejtur rritje e emetimit të oksideve të azotit për së paku dy herë më shumë. Qyteti Shkupit kërkon nga PThP - Shkup, thellësisht të hetojë akuzat dhe të merr masat e duhura.
“Titan Usje”: Akuzat e pabaza, do ngremë procedurë ligjore
Nga “Usje” thonë se akuzat kundër tyre nuk janë të vërteta dhe se do të ngrenë procedurë ligjore.
“Çimentorja “Usje” Sh.A. Shkup i refuzon plotësisht akuzat e pabaza, qëllimi i të cilave është defokusimi i opinionit. Për fat të keq kjo sjellje nuk çon në zgjidhjen e çështjeve të hapura. Në interes të informimit të saktë dhe të drejtë edhe njëherë përsërisim se gjatë kontrollit të jashtëzakonshëm nga ana e Inspektoratit të Mjedisit Jetësor, të realizuar me 3 dhe 4 janar të vitit 2023, në prani të inspektorëve nga Qyteti i Shkupit, është vërtetuar se emetimet nga procesi i prodhimit në çimentoren “Usje” janë më të ulëta nga vlerat e lejuara kufizuese.”, thuhet në reagimin e tyre.
Inspektorati i mjedisit: “Usje” e zëvendësoi naftën për ngrohje me gaz
Ndërkohë në faqen e internetit të Inspektoratit të Mjedisit, shkruan se gjatë kontrollit të ri inspektuese në “Usje” është vërtetuar se fabrika ka zëvendësuar naftën me gaz.
“Personi juridik vepron sipas vendimit të lëshuar pas procedurës së inspektimit, ku dy kaldaja për ngrohje tashmë kanë filluar përdorimin e gazit natyror si lëndë djegëse, në përputhje me lejen e marrë A-të integruar mjedisore.”
Aktualisht një nga dy furrat e çimentores nuk punon dhe është në riparim të rregullt që do të zgjasë rreth 45 ditë. (Leunora Kaliqi, TVM2)
