Zgjerimi i shumicës, Kovaçevski: ASh ka mundësi të hyjë në qeveri

18.01.2023 15:32

Rriten gjasat që ASh-ja të bëhet pjesë e shumicës parlamentare....

Rriten gjasat që ASh-ja të bëhet pjesë e shumicës parlamentare, respektivisht pjesë e Qeverisë. Vetë kryeministri Dimitar Kovaçevski, pohon se një gjë e tillë mund të ndodh pasi, siç thotë, ASh ka vullnet politik për konceptin evropian të shtetit. Vlerëson se aktualisht procesi i integrimit evropian varet ekskluzivisht nga subjektet politike vendore.   

“A do të hyjë në Qeveri?! Po, ekziston mundësi për këtë, siç thanë edhe liderët e tjerë politik. A do të ndodh kjo?! Varet nga marrëveshja politike. Kuptohet, marrëveshja politike gjithmonë ka dy aspekte, njëri është programor, tjetri është kadrovik. Dhe deri sa nuk ndodh një gjë e tillë nuk mund të flasim me siguri se do të ketë edhe një partner qeveritar. Thashë para tre muajsh se të gjithë ata që duan t’i bashkëngjiten konceptit për Maqedoni evropiane, tani është momenti që ta bëjmë këtë pasi, prej nesh varet qasja më e shpejtë e shtetit në BE.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

VMRO e zhgënjyer nga lëvizja e Taravarit

VMRO-DPMNE e zhgënjyer nga kreu i ASh-së, Arben Taravari. Rikujtojnë se mandatin për kryetar komune në Gostivar e ka fituar me përkrahjen e VMRO-DPMNE-së dhe tani dëshiron të bëjë koalicion me LSDM-në dhe BDI-në.

“Kur Aleanca premton ndryshimin e kushtetutës pa pyetur qytetarët kjo quhet mashtrim. Po ashtu, mashtrim është kur Taravari bëhet kryetar komune në Gostivar me votat e VMRO-DPMNE-së dhe pastaj vrapon të hyjë në qeverinë e BDI-së dhe LSDM-së. Dhe, gjithsesi se quhet mashtrim kur Taravari thotë se ndonjë faktor ndërkombëtar ka kërkuar që ai të hyjë në Qeveri dhe kur ta pyesni se cili është ai faktor, Taravari eviton përgjigjen.”, - thekson Stoilkovski nga VMRO-DPMNE.

Sipas Lëvizjes Besa, përfshirja e ASh-së në Qeveri vetëm mund ta vazhdojë jetëgjatësinë këtij pushteti për disa muaj. Ndërkaq, Alternativa konsideron se përfshirja e ASh-së, ka për qëllim të plotësojë vendet e pasigurta të deputetëve të BDI-së për shkak të zhvillimeve brendapartiake.  (Shpëtim Nuredini, TVM2)