Maqedoni

Roaming më të lirë nga 30 qershori

03.02.2015 16:48

Më datën 30 qershor të këtij viti do të ketë çmime të reja për shërbimet roaming...

Të gjithë qytetarët e Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi, si dhe Bosnjës dhe Hercegovinës për më pak se 5 muaj do të flasin në telefon me çmime shumë më të ulëta se sa këto të deritanishmet.
 
Agjencia për Komunikime Elektronike informon se janë zbatuar të gjitha ligjet e parashikuara në këtë drejtim dhe se pritet në muajit në vijim të konfirmohen saktësisht çmimet e reja që do të përdoren në këto shtete.    
                    
“Në fund të vitit 2014 patëm mbledhje me rregullatorët e katër shteteve të rajonit, si Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia, ku përfundimisht kemi rënë dakord që çmimet e reja për telefonatat në këto shtete të fillojnë të përdoren prej 30 qershorit të këtij viti. Është anuluar ky afat i implementimit të marrëveshjes së nënshkruar për shkak se një vend, nënshkruese e marrëveshjes, pati disa probleme dhe organizoi zgjedhje parlamentare në vendin e saj”- deklaroi drejtori i AKE-së, Robert Ordanovski.    
                                                                 
Kosova, Shqipëria, Turqia dhe Bullgaria nuk e kanë firmosur kontratën e përbashkët të rregullatorëve të vendeve të rajonit për uljen e çmimeve të roamingut.
 
Përveç kësaj, AKE-ja miratoi dhe rregulloren e re të punës, e cila tani e tutje obligon operatorët telefonik dhe kabllovik në vend të kenë shumë kujdes gjatë implementimit të marrëveshjes dhe detyrimeve të tyre ndaj klientit.
 
Me këto risi, operatori ka për detyrë në kontratë të shënojë shpejtësinë minimale që do t’ua dërgojë klientëve në  shtëpi dhe në rast se kjo nuk respektohet, klientët mund të prishin kontratën pa paguar fare dënime për të. Risi në dobi të klientëve do të ketë në drejtim të kontrollimit të shpenzimeve të klientit.
 
“Deri më tani kemi pasur shumë ankesa të klientëve, që kanë të bëjnë me llogaritë e  mëdha. Me risitë e fundit, është paraparë operatori dhe klienti gjatë nënshkrimit të marrëveshjes të precizojnë një mënyrë të informimit të shpenzimeve, ndërsa puna e dytë që ka të bëjë me shërbimet roaming është që operatori obligohet t’i informojë klientët në raste kur e tejkalojnë shumën e mbi 3.000 denarëve për thirrje dhe 1 mijë denarëve për internet jashtë shtetit”- tha Vladimir Ristevski  nga AKE.
 
Gjatë vitit të kaluar, në Agjencinë për Komunikime Elektronike kanë arritur plotë 720 ankesa, të cilat kryesisht kanë të bëjnë për mosrespektimin e kontratave të nënshkruara. 
 
REXHEP QAMILI