Maqedoni
Rasti "Puç", eurodeputetët me reagime
03.02.2015 16:58
Eurodeputetët po ndjekin me vëmendje zhvillimet e fundit në vend, që kanë të bëjnë me rastin “Puç”...

Kryetari i socialistëve, Knut Flekenshtajn dhe ish-raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ricard Hovit, thonë se i përcjellin me kujdes zhvillimet në Shkup.
Mbetemi të shqetësuar për ndikimin politik mbi disa procedura gjyqësore dhe në përgjithësi për drejtësinë selektive në vend.
Prandaj kërkojmë hetim të pavarur dhe transparent, duke marrë parasysh propozimet për të forcuar sundimin e ligjit, të theksuara në raport progresin e vendit nga KE.
Dëgjuam edhe deklarata kontradiktore të kryeministrit dhe ministres së Punëve të Brendshme, pasi njëri thotë se i përmenduri është i akuzuar, ndërsa tjetri se prokuroria akoma mendohet nëse do ta bëjë atë.
Edhe eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, ka shprehur brengosje për këto zhvillime.
Ajo deri te udhëheqësia e LSDM-së ka dërguar porosi, në të cilën ka thënë se, sipas bindjes së saj, e vërteta asnjëherë nuk duhet të mbetet e pazbuluar, prandaj fton pushtetin që hetimi të jetë i drejtë dhe në kohë.
“Në rast se është një akt i motivuar politikisht, i shtyrë nga frika e partisë në pushtet që ajo të ngarkohet me korrupsion dhe ndërhyrje në fushën e të drejtave të njeriut dhe lirisë së mediave, unë pres që përgjegjësit të marrin përgjegjësinë e plotë për shkeljet e tyre. Për më tepër, ftoj partitë politike të Maqedonisë të demonstrojnë nivel të lartë të kulturës politike dhe dialogut, si dhe bashkëpunimit. Ka vetëm një rrugë për të cilën të gjithë aktorët politik në Maqedoni duhet të synojnë dhe që është rruga për në Bashkimin Evropian"- thuhet në mesazhin e eurodeputetes, Fajon, drejtuar LSDM-së.
SANIJE KASAMI
