Botë
Zelensky flet në Davos: S’ka aksidente në kohë lufte, dërgoni tanket sa më shpejt
19.01.2023 12:14
“Nuk ka aksidente në kohë lufte.” janë fjalët e presidentit Volodymyr Zelensky...

“Nuk ka aksidente në kohë lufte.” janë fjalët e presidentit Volodymyr Zelensky, lidhur me ngjarjen e ndodhur në periferinë e Kievit, ku 14 persona, përfshirë pjesëtarë të kabinetit qeveritar, humbën jetën pas rrëzimit të një helikopteri. Ai u kërkoi aleatëve të dërgojnë sa më shpejt, më shumë armë, para ofensivës së re ruse.
“Aleatët duhet të sjellin shpejt armatime të tjera përpara një ofensive të re ruse. Furnizimet me tanket perëndimore duhet të paraprijnë një tjetër pushtim me tanket ruse. Koha që bota e lirë po përdor për të menduar, po shfrytëzohet nga shteti terrorist për të vrarë.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelesnky.
Deklarata u interpretua si një kërkesë për Gjermaninë që të marrë shpejt vendimin, për dërgimin e tankeve të shumëkërkuara nga Kievi, Leopard. Berlini heziton të ndërmarrë një hap të tillë, nëse Shtetet e Bashkuara nuk zotohen për t’i siguruar Ukrainës tanket e veta të betejës, Abrams. Është Britania e Madhe që ka guxuar të shkojë më tej në mbështetjen për Ukrainën, duke premtuar të dërgojë atje tanket Challenger. Shpresëdhënës për Kievin ishte mesazhi i shefit të NATO-s në Forumin e Davosit, i cili tha se Ukraina mund të sigurojë armatime më të rënda dhe të avancuara.
“Disa aleatë kanë njoftuar se janë gati të dërgojnë tanke më të avancuara dhe po zhvillohen bisedime e konsultime mes aleatëve. Do të takohemi në bazën e Ramstein në Gjermani për të diskutuar mbi mbështetjen ushtarake.”, tha Stoltenberg.
Stoltenberg gjithashtu tha se NATO, përpiqet që lufta të mos përshkallëzohet dhe të dalë jashtë territorit të Ukrainës, duke aluduar për ndonjë Luftë të Tretë Botërore të mundëshme. Sipas tij, NATO-ja është për të mbrojtur çdo aleat të saj dhe jo për të provokuar një konflikt, por për të parandaluar konfliktin.
FARIJE DAUTI BAKIJU
