Maqedoni
Mexhiti: Shumica aktuale stabile, s’ka nevojë për zgjerim
19.01.2023 12:39
Të pakënaqurit brenda kampit integrist mendojnë se vendit nuk i duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare...

Të pakënaqurit brenda kampit integrist mendojnë se vendit nuk i duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas tyre shumica aktuale është stabile, andaj ky rrugëtim duhet të vazhdojë deri në përfundim të ndryshimeve kushtetuese. Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti tentativat për kyçjen e ASh-së në qeveri, i konsideron si një akrobacion politik i kësaj partie, për ta shpëtuar Artan Grubin.
“Do ta presim vendimin, sepse ka një kohë të gjatë që po bëhen orvatje për të hyrë apo jo në qeveri, prandaj po them më mirë do të ishte ta shohim njëherë se a e kanë tamam hyrjen në qeveri. Por, sido që të jetë, është një vendim i një partie politike dhe nuk shoh arsye politike, sepse para nesh e kemi edhe një buxhet para nesh që duhet të realizohet, është buxheti i fundit, ka krizë energjetike dhe shumica nuk ka ndonjë krizë politike. Pra, nëse vendosin ata do të jenë një “patericë” për ta shpëtuar Artan Grubin dhe asgjë tjetër dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me interesin e qytetarit, e as me interesat strategjike apo me shumicën për ndryshimet kushtetuese, sepse numri do të jetë edhe ashtu i largët.”, - deklaroi nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti.
Mexhiti, po ashtu bëri të ditur se nëse ASh bëhet pjesë e kësaj qeverie, do të bëhet vetëm sa për të shijuar mundësinë e të qenurit në qeveri dhe jo që do ta ndihmonte shumicën aktuale, sepse sipas tij ASh nuk është faktor aq i madh sa për ta ndryshuar trajektoren lëvizëse të shtetit drejt integrimit të saj në Bashkimin Evropian. Sipas tij, jo vetëm ASh, por edhe partitë tjera opozitare mund ta ndihmojnë procesin eurointegrues dhe të ndryshimeve kushtetuese edhe duke qenë në opozitë. Sa i përket grupit të zjarrit, Mexhiti ka potencuar se deputetët e këtij grupi do të mbesin fuqishëm në rrugën e integrimeve evropiane, edhe pse nuk pajtohen me një pjesë të figurave politike në ekzekutiv.
FITIM KRYEZIU
