Botë

Rikthehet përplasja për targat, Kosova akuzon Serbinë për shkelje të marrëveshjes

19.01.2023 13:09

Çështja e targave rikthen përplasjen mes Kosovës dhe Serbisë. Autoritet në Prishtinë akuzojnë Beogradin...

Çështja e targave rikthen përplasjen mes Kosovës dhe Serbisë. Autoritet në Prishtinë akuzojnë Beogradin se ka shkelur marrëveshjen e arritur në nëntor në Bruksel, sipas të cilës Serbia u pajtua për të mos lëshuar më targa të reja të paligjshme dhe Kosova pranoi të hiqte dorë nga masat ndëshkimore për drejtuesit e automjeteve me targa të tilla.
 
Ministri i brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla, tha se policia kufitare ka regjistruar automjete me targat ilegale “KM”, të ri-regjistruara në muajin dhjetor të vitit 2022. Svelça paralajmëroi se Kosova nuk do të lejojë hyrjen dhe qarkullimin e veturave me targa të tilla.
 
“Bazuar në dakordimin mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në muajin nëntor 2022, Serbia është pajtuar që të ndalojë prodhimin e targave ilegale dhe ri-regjistrimin e atyre ekzistuese. Duke u bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat tona kufitare, Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim. Në respektim të legjislacionit tonë dhe dakordimit të arritur në Bruksel​, Policia e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e këtyre veturave në territorin e Republikës së Kosovës.”, shkruan Sveçla. 
 
Më herët zyrtarët serbë akuzuan Kosovën se po përpiqet të nxisë tensione të reja duke mos lejuar hyrjen e makinave më targa të lëshuara nga Serbia. Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Perkoviç, tha se një masë e tillë tregon “nëpërkëmbje të marrëveshjes së arritur ne Bruksel, pas një krize të rëndë që kërcënoi paqen në Kosovë”.