Maqedoni
Besimtarët ortodoksë festojnë Epifaninë - ujin e bekuar
19.01.2023 14:25
Besimtarët ortodoks festojnë ditën e madhe të Epifanisë, ujit të bekuar, e cila karakterizohet edhe me hedhjen e kryqit në ujë...

Besimtarët ortodoks festojnë ditën e madhe të Epifanisë, ujit të bekuar, e cila karakterizohet edhe me hedhjen e kryqit në ujë. Sipas tyre në këtë ditë shenjtërohet uji, i cili besohet të jetë shërues dhe çudibërës, ndërsa riti kryesor është hedhja e kryqit në ujë dhe personi që e kap besohet të përcillet nga fati. Në Shkup kryqi u hodh në ujërat e lumit Vardar, ku kreu i Kishës Ortodokse - Arqipeshkvia e Ohrit, z.z. Stefani iu drejtua qytetarëve.
“I biri i shenjtë i Zotit është pagëzuar në ujërat e lumit Jordan për ne dhe shpëtimin tonë për të bekuar ujin dhe gjithë krijesat.”, - theksoi kreu i kishës ortodokse - Arqipeshkvia e Ohrit, z.z. Stefani.
Kristian Nineski ishte fatlumi në Shkup, i cili gjeti kryqin dhe u shpërble nga z.z Stefan dhe kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska. Qytetarët e vendit me urimet më të mira për festën.
“Urime festa për shumë vjet, dëshiroj çdo të mirë.”, - tha një qytetare.
“Për shumë vjet shëndet, me shumë dashuri, fat, mirëkuptim mes motrave dhe vëllezërve dhe të gjithëve.”, - u shpreh një qytetare tjetër.
“Të kemi shëndet, paqe në vend. Liri dhe mirëqenie për qytetarët.”, - tha një qytetar.
“Për shumë vjet festa e ujit të shenjtë. Sot hidhet kryqi dhe festojmë ditën e ujit të shenjtëruar.”, - tha një tjetër qytetare.
Edhe në qytete tjera të vendit u zhvillua i njëjti ritual. Ndërkohë, urime për ditën e ujit të shenjtë dërguan edhe krerët shtetëror. Presidenti Pendarovski nga Forumi Botëror në Davos në letrën drejtuar Kishës Ortodokse Maqedonase, uroi që simboli i ujit të pastër të shërbejë për pastrim shpirtëror dhe inspirim për vepra të mira duke ushqyer mirëkuptim, harmoni dhe dashuri njerëzore.
“Uji i shenjtë i cili është simbol i Epifanisë, le të merr me vete vështirësitë dhe pengesat dhe të kontribuojë në mendje të kthjellët dhe qëllim të pastër për të sjellë vendime shtetërore, të cilat janë të rëndësishme në RMV.”, shkruan kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi në urimin e tij.
Porosi për bashkim vjen edhe nga kryeministri Kovaçevski. “Kujdesi ndaj njëri tjetrit si dhe mbështetja e përbashkët e zhvillimit është sfidë dhe obligim i çdo njeriu të ndërgjegjshëm.”, thotë në urimin e tij Dimitar Kovaçevski.
“Le të jetë kjo festë e madhe për bashkimin e qytetarëve, për t’ju dhënë motiv më të madh në luftën drejt të ardhmes më të mirë.”, porositi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
LEONORA KALIQI
