Botë

Sarrazin: Serbia le ta harrojë BE-në pa e njohur Kosovën

19.01.2023 14:44

I dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin,...

I dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për edicionin e sotëm të gazetës serbe “Nova”, tha se qëndrimi i Berlinit është se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa e njohur Kosovën. 
 
“Ne nga Gjermania gjithmonë kemi pasur një qëndrim shumë të qartë për këtë çështje – deri në fund të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, kur Serbia të vendosë për anëtarësim në BE, njohja e Kosovës do të jetë pjesë e procesit”, tha Sarrazin.
 
Ai vuri në dukje se kjo është diçka “që Gjermania me siguri e pret” dhe se kjo “u tha qartë kur kancelari Olaf Scholz vizitoi Serbinë në qershor të vitit të kaluar”. Ai theksoi se “BE-ja është shefi i negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se është e nevojshme të arrihet një marrëveshje në mes të dy palëve sa më shpejt të jetë e mundur, si dhe se është e rëndësishme që përfaqësuesit e serbëve të kthehen në institucionet e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur”. 
 
Sarrazin është i dërguari i parë gjerman për Ballkanin Perëndimor, sepse ky pozicion nuk ekzistonte në qeveritë e mëparshme gjermane.