Botë
Vërshimet në Shqipëri, përmbytje në Shkodër e Lezhë
19.01.2023 15:47
Moti i keq dhe reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në qarkun e Lezhës dhe Shkodrës, ku ka sipërfaqe toke nën ujë....

Moti i keq dhe reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në qarkun e Lezhës dhe Shkodrës, ku ka sipërfaqe toke nën ujë. Në Lezhë, uji ka përmbytur disa lagje dhe oborrin e shkollave "Kosova" dhe "Besëlidhja" duke ndërprerë mësimin. Për shkak të detit të trazuar Porti i Shëngjinit ka pezulluar lundrimin detar. Mjetet lundruese janë ankoruar në port dhe nuk do të lejohet lundrimi deri në përmirësimin e kushteve atmosferike. Për shkak të motit të paqëndrueshëm, ka pasur probleme në nisjen e trageteve nga portet e Durrësit dhe Barit.
Kosova ngrit gatishmërinë për përmbytjet
Në disa fshatra të komunës së Gjakovës, pas reshjeve më të fundit uji përveç se ka vështirësuar qarkullimin nëpër rrugë, ka shkaktuar edhe dëme materiale. Po ashtu në komunën e Pejës dhe Mitrovicës janë shkaktuar vërshime. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar sërish që në ditët në vijim mund të ketë vërshime në disa pjesë të Kosovës, si pasojë e reshjeve të shiut. Agjencia e Menaxhimit Emergjent të Kosovës, udhëzon për ngritje të gatishmërisë në nivel vendi për të gjitha qendrat operative emergjente, zjarrfikësit dhe drejtoritë komunale për mbrojtje dhe shpëtim.
Serbi, dy persona të zhdukur në lum
Edhe në Serbi lumenjtë kanë dalë nga shtretërit si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Mediet lokale raportojnë se dy personat që kanë rënë në lumin Tërnavic në Novi Pazarë, rezultojnë të zhdukur. Për shkak të rritjes së nivelit të ujit të Limës, në komunën e Prijepoljes është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.
“Situata është shumë më e keqe nga dje. Lagje të tëra dhe shumë rrugë janë përmbytur. Lumi Grabovica ka vërshuar pjesën e rregulluar të bregut të lumit, i cili është ndërtuar në vitin 1975 dhe asnjëherë nuk është vërshuar. Gjithashtu janë përmbytur shkolla teknike dhe gjimnazi. Situatë jashtëzakonisht e vështirë, madje katastrofike.”, - theksoi kryetari i Sjenicës, Munib Mujagiç.
Bosnjë, në Sarajevë gjendje e jashtëzakonshme
Moti i keq ka prekur edhe Bosnjën e Hercegovinën dhe nga e mërkura ka shkaktuar një rritje të papritur të nivelit të ujit në atë vend dhe kjo ka marrë tashmë viktimën e parë. Në natën mes të mërkurës dhe të enjtes, një vajzë u mbyt në lumin Miljacka në Sarajevë. Niveli i ujit në të gjithë lumenjtë në BeH po rritet me shpejtësi dhe të enjten në mëngjes Drina ka dalë nga brigjet e saj.
“Ne këtu vërtet jemi të harruar nga kjo Sarajevë. Si të mos kem frikë, tek unë u asgjësuan rreth 6 tonë pelet, kishim disa makineri këtu. Ne nuk bëmë asgjë, përsëri kjo nuk është asgjë. Tani ju shpresoni, kjo është nënë e dashur, e shihni dhe jeni në gatishmëri, vitin e kaluar, po ashtu aq shpejtë erdhi sa që asgjë nuk mund të shpëtonit ose të shihni.", - tha një banor i Sarajevës.
Mbrojtja civile paralajmëron nevojën për vigjilencë të shtuar. Si në Serbia, po ashtu edhe në Bosnjë është aktivizuar një alarm portokalli i motit, që do të thotë se moti është i rrezikshëm.
SAFET ADEMI
