Botë
Kërkesa e PE-së për hetim ndaj Varhejit, KE: Zgjerimi s’varet nga një komisioner
19.01.2023 16:53
Komisioni Evropian nuk ka dhënë përgjigje konkrete ndaj kërkesës së PE-së

Komisioni Evropian nuk ka dhënë përgjigje konkrete ndaj kërkesës së PE-së, i cili kërkon investigim ndaj punës së eurokomesarit për zgjerim Oliver Varheji. Zëdhënësi i ekzekutivit të BE-së, Erik Mamer për gazetarët shkurt është përgjigjur se për politikën e zgjerimit vendosin komisionarët dhe jo një individ.
“Politika e zgjerimit nuk është në dorën e një komisionari, por në duart e kolegjit të komisionarëve, i cili merr vendime dhe vlerëson situatën e vendeve që dëshirojnë të anëtarësohen.”, – shkruan “Euroaktiv” me seli në Bruksel.
Deputetët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar të mërkurën një hetim të pavarur për komisionarin, Varhelyi. Ata dyshojnë se raportet e progresit për vendet aspirantë kanë mbrojtur autokratët.
Deputetët shprehin shqetësimin për favorizimin e presidentit serb, Aleksander Vuçiç, andaj PE kërkon që të hetohet, nëse politika dhe sjellja e komisionarit të zgjerimit, është në kundërshtim me kodin e sjelljes se Komisionit dhe të BE.
Eurodeputeti holandez Thijs Reuten, një nga bashkëhartuesit e raportit ka thënë se grupi i social demokratëve dyshon se Varheji mbështet veprimet separatiste dhe ndjek agjendat e qeverisë së Budapestit.
Eurokomesari Varhelyi konsiderohet si njeriu i qeverisë hungareze dhe mik i Viktor Orbanit në Bruksel. Ai është kritikuar edhe më parë për sjellje miqësore dhe të butë ndaj autokratëve të Ballkanit.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
