Ivanovi shkarkon Ismailin
Presidenti i Shtetit, Gjorge Ivanov, ka shkarkuar zëvendësdrejtorin shqiptar të Agjencisë së Zbulimit, Muhamed Ismailin, i cili këtë post e ka ushtruar që nga viti 2003...

Në këtë institucion nuk do të ketë post të zëvendësdrejtorit, për shkak të sistematizimit të ri që ka paraparë presidenti, e që është miratuar edhe në qeveri. Pas këtij shkarkimi kanë reaguar nga BDI.
“Vendimi për shkarkimin e zëvendësdrejtorit të Agjencisë së Zbulimit, Muhamet Ismailit, është në vazhdën e sjelljeve joparimore të presidentit jolegjitim, Gjorge Ivanov, në raport me përfaqësimin dhe pozicionet e shqiptarëve në institucionet që janë nën kompetencën e tij. Për Bashkimin Demokratik për Integrim, ky vendim ashtu si dhe vendimi për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare muaj më parë, reflektojnë krizën e legjitimitetit të presidentit Ivanov. Është më se e qartë se shkarkimi i Ismailit është bërë kryekëput për motive politike dhe aspak për arsye profesionale, ndaj dhe akti i tillë meriton të dënohet. Bashkimi Demokratik për Integrim, që vazhdon të konsiderojë presidentin aktual si president jolegjitim për shqiptarët, vlerëson se institucioni i Presidentit nuk mund të shërbejë si mjet për qërim hesapesh me asnjë forcë politike shqiptare dhe aq më pak me partinë që gëzon legjitimitetin dhe besimin e shumicës së shqiptarëve”- vlerësojnë nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Nga kjo parti theksojnë se “aq më pak i lejohet presidentit të Shtetit të jetë pjesë e lojërave politike me partinë humbëse te shqiptarët, duke i bërë asaj favore si në rastin e emërimit të Flora Kadriut në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në kuadër të pazareve politike me këtë parti që vazhdojnë ende që nga zgjedhjet presidenciale. Kjo sjellje e presidentit Ivanov forcon edhe më argumentet e Bashkimit Demokratik për Integrim se presidenti i Shtetit duhet të zgjidhet në mënyrë konsensuale nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Maqedoni”- thuhet në kumtesën e BDI-së.
GYLTENE SINANI
