Maqedoni

Rasti “Puç”, LSDM-ja paralajmëron padi penale kundër Gruevskit

03.02.2015 17:37

Rasti “Puç” po ndërron pistë. As Zaev nuk po i “shpërthen” materialet e ashtuquajtura ”bomba” kundër qeverisë, as prokuroria nuk po nis procedurë për rrjedhjen e video-materialit të publikuar...

Rasti “Puç” po ndërron pistë. As Zaev nuk po i “shpërthen” materialet e ashtuquajtura ”bomba” kundër qeverisë, as prokuroria nuk po nis procedurë për rrjedhjen e video-materialit të publikuar, e që ka të bëjë me rastin “Puç”.
 
LSDM-ja paralajmëron padi penale kundër kryeministrit, Nikolla Gruevski, pas publikimit të bisedës që kreu i qeverisë ka pasur me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev, në kryeministri, e ku shihet qartë se bashkëbiseduesit diskutojnë për materiale kompromituese për qeverinë, që Zaev pretendon se i ka në disponim.  
 
“LSDM do të parashtrojë padi penale kundër Nikolla Gruevskit për incizim të paautorizuar dhe përgjim. Konformë nenit 151 dhe 152 të Kodit Penal, përgjimi dhe incizimi i paautorizuar nuk lejohet, d.m.th. Nikolla Gruevski e ka shkelur ligjin. Në rast se bëhet fjalë për masa të posaçme hetuese, atëherë është bërë shkelje penale në harmoni me nenet 360 dhe 360 të Kodit Penal, zbulim i sekretit zyrtar”- deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.
 
Sipas LSDM-së, ky video-incizim nxit dyshimin se kryeministri, Nikolla Gruevski, po xhiron në formë të paautorizuar mysafirët që i pranon në zyrën e tij. Publikimi i kësaj videoje, ndër të tjera dëmton imazhin e vendit, konsideron partia e Zaevit. 
 
“Nuk e dimë se cilat takime dhe kë ka incizuar Nikolla Gruevski në kabinetin e tij. Nëse janë partnerët e tij të koalicionit, nëse janë ambasadorë të huaj, ministra dhe kryeministra të huaj, eurokominisionerë dhe mysafirë të ngjashëm në kabinetin e tij”- tha zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.
 
Ndërkaq, VMRO-DPMNE që mbrëmë u bëri thirrje institucioneve që të zbulojnë rrjedhën e incizimeve.
Fjala e fundit, megjithatë, i mbetet prokurorisë. 
 
SHPËTIM NUREDINI