Maqedoni
Sulmi ndaj sekretarit të klubit bullgar, MPJ e Bullgarisë me notë proteste ndaj RMV-së
20.01.2023 14:44
Ministria e jashtme e Bullgarisë do të dërgojë notë proteste ndaj autoriteteve të RMV-së,

Ministria e jashtme e Bullgarisë do të dërgojë notë proteste ndaj autoriteteve të RMV-së, për shkak të sulmit fizik në Ohër, ndaj sekretarit të klubit bullgar "Car Borisi i tretë". Sofja zyrtare akuzon Shkupin për neglizhencë dhe mungesë të masave efektive në parandalimin e incidenteve, që sipas tyre, rrjedhin nga urrejtja ndaj bullgarëve.
“Për fat të keq, sulmi i 19 janarit 2023, është shembull indikativ për pasojat e rënda të mungesës sistematike të reagimit adekuat nga ana e RMV-së, duke llogaritur edhe pamundësinë e realizimit të obligimeve të tyre - të garantojë sigurinë e qytetarëve të saj.", - thuhet në reagimin e MPJ-së bullgare.
Osmani: Dënojmë sulmin, rasti po zbardhet
Ministri i jashtëm, Bujar Osmani ka siguruar homologun e tij bullgar se sulmuesit janë gjetur dhe pritet të dalin para drejtësisë. Ai thotë se RMV nuk do të lejojë të shembet funksionaliteti multietnik në vend.
“Shfrytëzoj rastin që ta dënoj ashpër këtë sulm dhe të kërkoj nga institucionet që t'i ndërmarrin të gjitha masat për përgjegjësinë për personin që është dëmtuar fizikisht për shkak të identitetit etnik dhe kulturor.”, - deklaroi ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
Hristijan Pendikov pësoi lëndime trupore pas incidentit ku janë përfshirë edhe tre persona. Sipas MPB-së, ngjarja ka ndodhur për shkak të keqkuptimeve të ndërsjella para një lokali në Ohër.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
