Maqedoni
Ndryshime kushtetuese apo zgjedhje parlamentare, Mickoski: S’ka deputet që s’do zgjedhje
20.01.2023 15:07
Pushteti dhe opozita të ngujuar në qëndrimet e tyre për ndryshimin e kushtetutës dhe vazhdimin e integrimit evropian....

Pushteti dhe opozita të ngujuar në qëndrimet e tyre për ndryshimin e kushtetutës dhe vazhdimin e integrimit evropian. Përderisa koalicioni qeverisës bën thirrje për unifikim në një blok proevropian dhe sforcon përpjekjet për të zgjeruar shumicën parlamentare, opozita e kryesuar nga VMRO-DPMNE, angazhohet për zhbërjen e shumicës parlamentare dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski madje pretendon se ka shumicë për të rrëzuar qeverinë, por, sipas tij, pushteti po shantazhon deputetët të cilët janë për zgjedhje të parakohshme.
“Në Kuvend s’ka njeri racional që i do të mirën Maqedonisë e që s’do të donte zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por, grupet gjysmë kriminele që i kontrollon kryesia e lartë e LSDM-së dhe BDI-së dhe janë pjesë e nëntokës maqedonase vazhdojnë të bëjnë presion mbi ata deputetë.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Kovaçevski: Shumica do të jetë edhe më e madhe
Kryeministri Kovaçevski hodhi poshtë pretendimet e kreut të opozitës. Sërish ftoi të gjitha subjektet dhe deputetët që janë për Maqedoni evropiane që t’i bashkëngjiten koalicionit qeverisës.
“Po ia përcjell z.Mickoski se, jo që s’ka 61 deputetë, jo që deputetët janë të lirë të vendosin sipas bindjeve, mandatit dhe pozitës në partinë politike, por po e njoftoj se shumica parlamentare do të jetë edhe më e madhe se ajo që është sot.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Osmani: S’është koha për politikë ditore
Shefi i diplomacisë, nga ana tjetër, alarmon për pasojat në procesin integrues nëse ndryshimet kushtetuese nuk miratohen brenda afatit.
“Ky vit nuk është vit i zakonshëm ku partitë politike mund të merren me kalkulime të politikës ditore, por duhet të merren vendime që janë strategjike dhe që janë me rëndësi për të ardhmen e vendit. Të gjithë ata që e njohin procesin e dinë se nuk ka alternativë nga ndryshimet kushtetuese. Ne mund ta vonojmë këtë proces për arsye të interesave politike partiake, por nuk përfiton askush asgjë përveçse e humbim momentin e rëndësishëm politik që e kemi rikthyer pas 17 viteve.”, - u shpreh ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
Aleanca për Shqiptarët këtë fundjavë do të vendosë nëse do të fillojë bisedimet formale për hyrje në Qeveri. Është e dukshme që kreu i ASh-së ka disponim për t’u bërë pjesë e Qeverisë megjithatë, vendimi pritet të merret në Kuvendin Qendror të partisë.
Për ndryshimet kushtetuese janë të nevojshëm 80 deputetë që do të votonin pro, numra që nuk sigurohen as me përfshirjen e ASh-së në koalicionin qeverisës.
SHPËTIM NUREDINI
