Botë
Përmbytjet në Kosovë, më rëndë situata në Skenderaj e Mitrovicë
20.01.2023 15:29
Situata në Kosovë është rënduar pas të reshurave të shiut që kanë përmbytur shumë zona....

Situata në Kosovë është rënduar pas të reshurave të shiut që kanë përmbytur shumë zona. Skenderaj dhe Mitrovica kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Në Drejë të Istogut, FSK evakuoi 14 familje me rreth 60 anëtarë të cilit kishin mbetur të bllokuar gjatë gjithë ditës së enjte. Vështirësi edhe në Pejë, Podujevë, Klinë e Drenas. Në disa komuna është pezulluar mësimi, pas përmbytjes së shkollave. Qeveria premton ndihmë për familjet e prekura.
“Qeveria e Kosovës me të gjitha institucionet shtetërore do t’i ndihmojë e do t’i mbështesë, mirëpo paraprakisht do të bëhet një vlerësim i këtyre dëmeve të shkaktuara dhe i nevojave që të vazhdojnë jetën normalisht.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Moti i keq në Shqipëri, përmbytje e bllokim rrugësh në zonat malore
Situatë e rënduar edhe në Shqipëri ku reshjet e shiut dhe borës në zonat malore kanë shkaktuar përmbytje, bllokim rrugësh dhe mungesë të energjisë elektrike në të gjithë vendin. Situata vazhdon të jetë problematike në Lezhë, megjithëse intensiteti i shiut ka rënë. Shkodra është ende nën pushtetin e ujit, aty ku rezultojnë 1.100 hektar tokë të përmbytura. Korça ka pasur prani të shiut dhe borës gjatë natës, ndërsa të dëmtuara kanë mbetur tre çati shkollash. Në Gjirokastër rrëshqitja e dheut ka bllokuar disa rrugë. Niveli i lumenjve gjithsesi nën nivelin kritik, duke mos paraqitur problem për përmbytje në pjesën më të madhe të tyre.
Përmbytjet në Serbi, gjendje e jashtëzakonshme në disa komuna
Në Serbi vazhdojnë ndërkohë kërkimet për dy persona të zhdukur gjatë vërshimeve në Novi Pazar. Disa komuna atje kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Shiu ka nxjerrë lumenjtë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje të shtëpive në Prijepolje, pjesë të Novi Pazarit dhe Krushumlisë. Ujërat e Ibrit në Rashkë kanë vërshuar një zonë industriale, atje janë mbyllur çerdhet dhe shkollat.
BELINDA KOKA ADEMI
