Botë

Dialogu Prishtinë – Beograd, 5 të dërguarit nga BE dhe ShBA, në Kosovë e Serbi

20.01.2023 16:46

Bashkimi Evropian, me mbështetje të ShBA-së, këmbëngulin për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi...

Bashkimi Evropian, me mbështetje të ShBA-së, këmbëngulin për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi. Përfaqësuesi special për dialogun, Miroslav Lajçak dhe ai i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, bashkë me këshilltarët e presidentit francez, Macron, kancelarit gjerman Scholz e kryeministres së Italisë, Meloni, vizituan Prishtinën dhe Beogradin  me synimin për t’i shtyrë drejt një marrëveshjeje mbi kornizat e planit të BE-së ose siç njihej plani franko – gjerman . Lajçak e cilësoi takimin  jo të lehtë, por të sinqertë dhe tha se kishte pritur më shumë mirëkuptim.
 
“Ne jemi shumë të përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të gjitha këto fuqi e kanë hedhur peshën e tyre në këtë nismë. S’duam të japim deklarata dramatike, sepse jemi në mes të një procesi dhe do të vazhdojmë tani drejt Beogradit. Shpresoj që të arrijmë atje ku e kemi synim dhe do të vazhdojmë të angazhohemi në këtë drejtim.”, - deklaroi përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
 
Vuçiq: Koha e fundit të formohet asociacioni
 
Pas takimit me Kurtin, emisarët ndërkombëtarë udhëtuan për në Beograd, ku u takuan me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. 
 
“Një konflikt i ngrirë nuk është zgjidhje dhe se kur keni një konflikt të ngrirë, është vetëm çështje kohe kur dikush do ta shkrijë atë dhe kur individë të papërgjegjshëm do të rrëzojnë paqen dhe stabilitetin e të gjithë Ballkanit Perëndimor. Si president i Serbisë pa mëdyshje u përballa me problemet dhe sfidat që do t'i viheshin Serbisë nëse nuk pajtohemi me planin e sotëm. Në ato kushte kërkuam që të na ndihmojnë të gjithëve për të kapërcyer turbulencat me të cilat po përballemi. Është koha e fundit të formohet asociacioni  i komunave serbe, i cili jo vetëm është premtuar, por edhe është nënshkruar 10 vjet më parë. Është urgjente, sepse vetëm pas kësaj mund të bisedohet dhe të kthehet në institucione.”, - deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
 
Vizitat në të dyja vendet synojnë të përgatisin terrenin për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë në Bruksel.
 
SAFET ADEMI