Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Kasami: Më mirë të shkohet në zgjedhje
20.01.2023 17:16
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami është shprehur pesimist për A2 CNN...

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami është shprehur pesimist për A2 CNN se ndryshimet kushtetuese mund të ndodhin para zgjedhjeve të rregullta që duhet të mbahen vitin e ardhshëm.
“Vlerësoj që tani para zgjedhjeve kur edhe zgjedhjet e rregullta do të jenë vitin e ardhshëm, pra do të jetë më se e vështirë që të gjendet një mundësi që të bëhen ndryshimet kushtetuese, sepse kjo do të kishte një implikim të fuqishëm tek të gjitha partitë politike. Për mua ndoshta do të ishte më reale që të shkojmë në zgjedhje partitë politike të japin ofertën e tyre politike se si e shohin vazhdimin e rrugëtimit të vendit në BE.”, - deklaroi kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Kasami: Jo takime për konkurrencë politike
Teksa ka arsyetuar mospjesëmarrjen në takimin e fundit me kryeministrin Edi Rama, Kasami thotë se nuk kemi pse takohemi për garë politike, për derisa nuk diskutohet se çfarë është bërë nga platforma midis partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut.
“Ne nuk kemi përse të ulemi dhe të bashkohemi apo të takohemi për çështje që ndoshta janë pastër politikë apo janë të konkurrimit të pastër politik, por ne duhet që të jemi bashkë për atë që kemi përcaktim programor dhe ajo ka të bëjë me avancimin e të drejtave juridiko-kushtetuese të shqiptarëve.”, - u shpreh kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Kasami shprehu ndërkohë shqetësim për rritjen e mbështetjes për një subjekt ekstremist majtist, siç është E Majta, e cila siç tha, ka lidhje me Moskën dhe forca që nuk ia duan të mirën Ballkanit dhe Maqedonisë së Veriut.
NAIM RAMADANI
