Maqedoni

Mjeket: ngritja e temperaturave mund të rikthejë gripin

03.02.2015 17:52

Ngritja e temperaturave mund të rikthejë gripin...

Më të goditur mund të jenë fëmijët me një imunitet të dobët, por edhe të moshuarit që vuajnë nga sëmundje kronike të organeve të frymëmarrjes.
 
Mjeku, Muhamet Kamberi, thotë se gripi nuk manifestohet tek të gjithë njësoj.
 
Fëmijët mund ta kalojnë me simptoma më sipërfaqësore, si temperaturë, kollitje, rrjedhje të sekrecioneve nga hunda, si dhe dhimbje të veshëve. Sa i takon pleqve, ata mund ta kenë gjendjen më të rënduar.
 
“Më së tepërmi janë të prekur ata të cilët kanë imunitet të komprometuar, sidomos që kanë dëmtime të traktit respirator. Këtu bëjnë pjesë personat që vuajnë nga sëmundjet e traktit respirator, sikurse që janë bronhitet kronike, sidomos ato me astmë dhe u janë të shtrembuar bronhet dhe tash sëmundjet virale shkojnë në kombinim me ndonjë bakterie dhe shkojnë e stacionohen në këto vende ku bronhet janë të lakuara dhe bëjnë shpesh sikurse të ketë ndonjë ndezje në traktin respirator”- deklaroi mjeku, Muhamet Kamberi.
 
Që këta persona të rrezikuar të mos bien shumë shpejt në kontakt me virusin e gripit, rekomandohet të qëndrojnë sa më larg lagështisë, ambienteve të errëta apo vendeve ku ka shumë njerëz, pasi që virusi bartet nëpërmjet ajrit.
 
Mjeku, Muhamet Kamberi, rekomandon pacientët me simptoma më të lehta të gripit të mos paraqiten menjëherë te mjeku dhe të kërkojnë me çdo kusht antibiotik.
 
Sipas tij, pacientët prej 5 e deri në 7 ditët e para do të duhet të luftojnë gripin me vitamina dhe antipiretik.
 
“T’u ikim dhomave ku ka lagështi, t’u ikim dhomave që nuk kanë dritë dhe mos të mblidhemi në raste të këtilla nëpër tubime, apo ai i cili do të izolohet se është i sëmurë nga virusi duhet të largohet nga mesi, gjegjësisht të futet me një dhomë ku ka ajrosje të mirë, ku ka dritë, për arsye se rrezet ultra violete vetvetiu i mbysin viruset. Po ashtu, te pacientët tek të cilët nuk është vërtetuar që ka komplikime, nuk preferohen të merren antibiotike, për arsye se antibiotikët edhe më tepër do të na e keqësojnë gjendjen shëndetësore”- tha mjeku, Muhamet Kamberi.
 
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, numri i përgjithshëm i të prekurve nga gripi gjatë këtij sezoni dimëror tejkalon numrin pesëmijë.
 
Pjesa më e madhe e të sëmurëve 28% janë regjistruar në Tetovë. Pastaj renditen Kumanova, Shkupi, Prilepi dhe qytete të tjera me një fluks më të ulët të përhapjes së virusit.
 
MERAL ISMAILI