Rajoni i Mitrovicës përballet me probleme nga ujërat atmosferike

21.01.2023 18:44

Policia e Kosovës ka bërë të ditur....

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sipas raportimeve të sotme, nivel më të shtuar të ujërave si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit ka në pjesën veriore dhe veri-perëndimore të Kosovës.

Sipas PK-së, sot probleme si pasojë e ujërave atmosferike ka në rajonin e Mitrovicës, përkatësisht në rrugën Pestovë-Druare–Prelluzhe-Plemetin të komunës së Vushtrrisë dhe rrugët ‘2 Korriku’ dhe ‘Hoxhë Hasan Tahsini’, në komunën e Mitrovicës Jugu dhe në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë Veri, ku ka nivel të rritur të ujit.

Ndryshe, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, në disa qytete të Kosovës ka pasur vërshime.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës,  ka informuar se pas ndaljes së reshjeve të shiut, vendi ka kaluar natë të qetë, por me intervenime të ndryshme në zona të caktuara.

Sipas MPB-së, aktualisht, po intervenohet edhe në infrastrukturën e prekur nga vërshimet në mënyrë që shërbimet dhe qarkullimi për qytetarët të normalizohet. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se reshje me intensitet të ndryshuar pritet të ketë deri më 25 janar.

Ndërkohë Shqipëria shprehet e gatshme për të ndihmuar banorët e Kosovës nga vërshimet.  Forca dhe mjete të Forcave të Armatosura të Shqipërisë janë dislokuar në Kukës, në gatishmëri për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura ditët e fundit. Kryeministri Edi Rama ndau pamje në rrjetet sociale të nisjes së këtyre mjeteve dhe trupave në mbështetje të banorëve të Kosovës.