Maqedoni

Tetovë, komuna merr masa për uljen e ndotjes

03.02.2015 17:57

Pas rekomandimeve të pranuara nga Ministria e Ambientin Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor lidhur me miratimin dhe implementimin e planit aksionar...

Pas rekomandimeve të pranuara nga Ministria e Ambientin Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor lidhur me miratimin dhe implementimin e planit aksionar, që ka për detyrë reduktimin e ndotjes dhe kualitetit të ajrit, Komuna e Tetovës në koordinim me Njësinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tetovë, do të ndërmarrin masa për mbrojtjen e ajrit.
 
“Në 2 pikat kyçe për hyrje-dalje në qytet, gjegjësisht qarku rrethor te “Vero” dhe qarku rrethor i “Bul”, të Ilindenit me rrugën “Video Smilevski Bato”, Inspektorati Lokal i Komunës dhe Njësia Policore-Tetovë kryen kontrolle të shpeshtuara për sigurimin e regjimit të veçantë të komunikacionit, me ç’rast automjetet e rënda transportuese, destinacioni përfundimtar i të cilëve nuk është qyteti i Tetovës, u drejtuan të lëvizin në rrugët qarkore. Gjithashtu u kryen kontrolle edhe të mjeteve me leje për transport dhe furnizim të mallrave, me ç’rast të njëjtat u obliguan bartjen e mallrave ta bëjnë në orarin kur kemi edhe frekuencë më të vogël të qarkullimit në komunikacion, gjegjësisht nga ora 18:00 deri në ora 08:00 të mëngjesit”- deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Kryeshefi i  Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Faredin Zenuni, tha se përkrah pa rezervë masat që i merr Komuna e Tetovës në drejtim të përmirësimit edhe të komunikacionit, por edhe të ndotjes.
 
“Masat represive nuk janë ato masa që e zgjidhin problemin e komunikacionit dhe besoj se Komuna e Tetovës në të ardhmen do të marrë pjesë në përmirësimin e çështjes së parkimit, përmirësimin e regjimit të komunikacionit dhe në këtë drejtim shpresojmë t’i rregullojmë këto probleme që nuk janë të sotme, por janë me vite në Tetovë”- tha kryeshefi i Sektorit për Punë të Brendshme-Tetovë, Faredin Zenuni.
 
Nga Komuna e Tetovës po ashtu thanë se me qëllim realizimin sa më të shpejtë dhe funksionimin e transportit publik në Tetovë, kanë kërkuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve të furnizojë Komunën e Tetovës me 8 autobusë për qarkullim brenda qytetit dhe janë në pritje të përgjigjes. 
 
MIFTAR EMINI