Maqedoni

“Titanik 2”, 2 vite burg për Mijallkovin, Thaçin dhe 4 të akuzuar

23.01.2023 15:14

Me nga dy vite burg u dënuan Sasho Mijalkov, Menduh Thaçi, Aneta Stefanovska, Vllatko Sajkovski...

Me nga dy vite burg u dënuan Sasho Mijalkov, Menduh Thaçi, Aneta Stefanovska, Vllatko Sajkovski, Sasho Srcev dhe Bedredin Ibrahimi, të akuzuar në rastin “Titanik-2” që ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore në vitin 2013.  Në aktvendimin e dytë për këtë rast, Gjykata Themelore Shkupi 1 konstatoi se, në vitin 2013 Mijallkov i ka porositur Menduh Thaçit që të urdhërojë bashkëpartiakun e tij në KShZ Bedredin Ibraimi të anulojë votimin e rregullt në një vendvotim në Strumicë në favor të Vasil Pishev nga VMRO-DPMNE, i cili ka qenë në dëm të kandidatit të atëhershëm për kryetar të komunës së Strumicës,  Zoran Zaev.
 
Por, ky rast nuk përfundon me këtë vendim. Në rast se deri në prill të këtij viti Gjykata e Apelit nuk e bën të plotfuqishëm vendimin e dytë të Gjykatës së shkallës së parë ose nëse zvarrit vendimin përfundimtar përtej afatit të parashikuar ligjor, atëherë Mijalkov e të tjerët mund të shpëtojnë nga dënimi i shqiptuar. Që të mos vjetërsohet lënda, prokuroria themelore heq dorë nga ankimimi i vendimit gjyqësor. Por, mbrojtja nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë.
 
“Duke marrë parasysh se çdo procedurë ankimuese kur ka ankim nga të dyja palët, lënda edhe më shumë po ngarkohet ne nga ana e Prokurorisë nuk do të ankimojnë dënimin e shqiptuar, duke marrë parasysh se i njëjti është në kuadër të asaj që parasheh ligji  dhe pikërisht kjo është edhe për të penguar apo zvarritur procedura ankimuese edhe më shumë, unë mendoj që kjo ankimi mund të përfundojë deri në afatin e parashikuar ligjor.”, - deklaroi prokurori, Gavril Bubevski.
 
“Sigurisht se do të anikimojmë vendimin, por dua të them se kjo është humbje për shtetin e së drejtës. Dhe këtë e them nga një arsye shumë e thjeshtë se asnjëra nga udhëzimet e Gjykatës së Apelit të cilat na u sugjeruan, nuk u realizua nga gjykata e shkallës së parë. Kjo do të thotë se aktvendimin gyjqësor nuk mund të arsyetojë kritikën juridike.”, - theksoi avokati mbrojtës, Ljupço Shvrgovski.
 
Me aktgjykimin e parë të shpallur më 8 mars 2018, të akuzuarit u dënuan me 19 vjet e 8 muaj burgim, vendim i cili gjykata e Apelit në Shkup ktheu lëndën në rigjykim. Personave të dënuar do t’u përllogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. 
 
REXHEP QAMILI