Maqedoni

Kriza energjetike, Kovaçevski: Asnjë qytetar apo kompani s’do përballet vetëm

23.01.2023 15:34

Qeveria nuk ka lejuar asnjë qytetar dhe asnjë kompani të përballet vetëm me sfidat...

Qeveria nuk ka lejuar asnjë qytetar dhe asnjë kompani të përballet vetëm me sfidat, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski duke përkujtuar se në kriza të këtyre përmasave goditen gjithmonë më të cenuarit. Sipas tij, teksa vendi nuk e kishte marrë veten nga pandemia, u godit nga kriza energjetike, por pasojat u zbutën përmes masave për më shumë sektorë e kategori.
 
“Qoftë strategjitë e qeverisë, modeli i subvencioneve, përdorimi i fondeve evropiane, ne nuk mund të improvizojmë këtu. Nuk mund të sillemi në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa strategji, këtu duhet të jemi disa hapa përpara, nëse mendojmë mirë për qytetarët dhe për zhvillimin e plotë të vendit.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski. 
 
IPARD 3, Autoritetet: 62% më shumë para të pakthyeshme
 
Qeveria i është qasur shumë seriozisht edhe Programit IPARD e  nga një vend që nuk i shfrytëzonte paratë nga fondet evropiane RMV tani është vend lider në shfrytëzimin e mjeteve nga Programi IPARD, thonë autoritetet.
 
“Nëse kemi pasur 60 milion euro para të pakthyeshme, tani në IPARD 3 kemi vendim të miratuar nga ana e KE-së për 97 milion euro para të pakthyeshme. Për investime në bujqësi për modernizimin e gjithë sektorit me gjithë mjetet që i sigurojnë shfrytëzuesit arrijnë diku në 210 milion euro.”, - theksoi ministri i bujqësisë, Ljupço Nikolloski. 
 
“Me shfrytëzimin e mjeteve nga programi IPARD modernizohet makineria bujqësore, futen teknologji të reja në prodhimtarinë bujqësore dhe rritet numri i kapaciteteve prodhuese vendore si dhe të mikro kompanive që operojnë në vendbanimet rurale.”, - u shpreh drejtori i Agjencisë për zhvillim rural, Nikica Baçovski.
 
Ata vizituan fabrikën “Metro” e cila me ndihmën e programit IPARD investoi në modernizim dhe në teknologji të larta për të rritur kapacitetet e saj.
 
BELINDA KOKA ADEMI