Rikthehen tensionet në veri të Kosovës, serbët sulmojnë patrullën policore, një i lënduar
Një tjetër incident është shënuar në veri të Kosovës...

Një tjetër incident është shënuar në veri të Kosovës, ku situata vazhdon të mbetet mjaft e brishtë pas tensioneve të përsëritura të këtyre muajve të fundit.
Një njësi policore është sulmuar paraditen e kësaj të hëne në Bistricë të Leposavicit nga persona që ndodheshin në një automjet, i cili ka tentuar të anashkalojë kontrollet e forcave të rendit.
Policia thotë se nga makina në lëvizje është shtënë mbi automjetin e efektivëve, duke rrezikuar drejtpërdrejtë jetën e tyre. Për të neutralizuar rrezikun, këta të fundit janë përgjigjur duke hapur zjarr. Të dyshuarit kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes.
“Njësia policore, e cila ndodhej në pikën e kontrollit në krye të detyrës, ka dashur që të ndalojë automjetin në fjalë, i cili nuk i është bindur thirrjes për të ndaluar, përkundrazi ka shtënë mbi efektivët. Të dyshuarit janë larguar bashkë me mjetin e tyre nga vendngjarja, ndërsa është hapur menjëherë një hetim mbi incidentin, e është njoftuar edhe Inspektorati i Policisë së Kosovës për procedura të mëtejme.”, thanë burime nga policia e Kosovës.
Sipas Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe nga ky incident ka mbetur i plagosur një serb që është transportuar me urgjencë në spitalin e Kralevës.
Drejtori i kësaj zyre, Petar Petkovic tha se njësitë policore të Kosovës “kanë qëlluar automjetin vetëm, sepse nuk kanë dashur të lejojnë që policia t’i keqtrajtojë pa asnjë bazë dhe arsye”.
