Botë

Vuçiq, detyrohemi ta pranojmë planin franko-gjerman

24.01.2023 11:03

Serbia do të përballet me pasoja të rënda, nëse nuk bie dakord me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën...

Serbia do të përballet me pasoja të rënda, nëse nuk bie dakord me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Kështu ka deklaruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas të cilit pesë diplomatët perëndimorë gjatë vizitës në Beograd, i kanë thënë, se nëse Serbia nuk e pranon planin franko-gjerman, atëherë vendi do të përballet me pasoja të rënda. Bllokim në integrim evropian, ndalim të investimeve dhe masa gjithëpërfshirëse, politike dhe ekonomike. 

Sipas Presidentit të Serbisë, "plani de fakto u shndërrua si kornizë e re e bisedimeve të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe nuk do të ketë asnjë përparim nëse nuk bashkëpunojmë për këtë”. Sipas Vuçiq, "ky plan është plan i të gjitha vendeve të bllokut, përfshirë edhe atyre që nuk e njohin Kosovën”, tha Vuçiq, duke shtuar se në rast të refuzimit, "për pak ditë do të hiqej regjimi i udhëtimit pa viza dhe do të ndërpriteshin investimet”. 
 
"Millosheviçi kishte besuar se asnjë bombë e NATO-s nuk do të bjerë, sepse ata përreth i kishin thënë se kjo nuk do të ndodhte dhe iu deshën disa ditë për ta kuptuar se bombat po binin nëpër Serbi”, tha Vuçiq duke iu referuar bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe, pasi Beogradi refuzoi marrëveshjen e mbështetur nga perëndimi në vitin 1999.  
 
Vuçiq tha se "nuk kemi nënshkruar asgjë, vetëm jemi përballur me fakte. Asgjë nuk do të ndodhë as sot, as nesër, as pas një apo tre muajsh. Por, kur të jemi para kërkesave përfundimtare, Kuvendi i Serbisë dhe populli do të deklarohen", tha presidenti serb, duke kërkuar zgjidhje kompromisi me Kosovën.