Botë
Vdekjet nga shurupet e kollës, OBSH bën thirrje për veprime të menjëhershme
24.01.2023 14:27
Pas një morie vdekjesh të fëmijëve vitin e kaluar, të lidhura me shurupet e kollës...

Pas një morie vdekjesh të fëmijëve vitin e kaluar, të lidhura me shurupet e kollës, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje për “veprim të menjëhershëm dhe të koordinuar” për të mbrojtur fëmijët nga ilaçet e kontaminuara.
Në vitin 2022, më shumë se 300 fëmijë, kryesisht të moshës nën 5 vjeç, vdiqën nga dëmtimi akut i veshkave në Gambi, Indonezi dhe Uzbekistan. Këto vdekje dyshohet se u shkaktuan nga ilaçe të kontaminuara.
“Shurupet e kollës të ekzaminuara, kishin nivele të larta të dietilenit glikolit dhe etilenit glikolit.Këta ndotës janë kimikate toksike që përdoren si tretës industrialë dhe mund të jenë fatale edhe nëse merren në sasi të vogla. Ato nuk duhet të gjenden kurrë në ilaçe. Meqenëse këto nuk janë incidente të izoluara, u bëjmë thirrje palëve të përfshira në zinxhirin e furnizimit mjekësor të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe të koordinuara”, tha OBSH.
Shtatë vende kishin raportuar se kishin gjetur shurupe të kontaminuara në katër muajt e fundit dhe OBSH u bëri thirrje 194 shteteve anëtare, të veprojnë urgjentisht për të parandaluar më shumë vdekje.
