Geer: Administratë eksperte, e pavarur, profesionale
Ambasadori evropian David Geer ripërsërit se RMV-së i nevojitet një administratë publike eksperte...

Ambasadori evropian David Geer ripërsërit se RMV-së i nevojitet një administratë publike eksperte, e pavarur dhe profesionale. Ai thotë se edhe pse ka rezultate në drejtim të riorganizimit, sistemi ka edhe dobësi, madje është i dukshëm edhe ndikimi shumë i fortë partiak në pjesë të caktuara të administratës.
“Nuk do të komentoj vendimet e ndryshme në lidhje me politikat që do të marrë qeveria në fusha të veçanta, por si parim i përgjithshëm, pra parimi ynë është që të keni një shërbim publik ekspert, të aftë për të zbatuar reformat. Pa të, vendi nuk mund të zhvillohet. Këtu ka disa aspekte – financimi, ndikimi partiak që është shumë i fortë në pjesë të caktuara të administratës, por ju duhet të keni një shërbim publik, që mund të japë atë që nevojitet. Ka shumë mangësi në sistem. Ato mangësi po identifikohen në raportin tonë, megjithatë po bashkëpunojmë ngushtë me administratën në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve të saj.”, - deklaroi ambasadori i BE-së në RMV, David Geer.
Cilësia e administratës publike, Besimi: zgjidhje sistematike, procesi ka nisur
Po punohet për optimizmin e administratës, duke përmirësuar në të njëjtën kohë cilësinë dhe forcimin e kapaciteteve, thotë ministri i financave.
I pyetur për rritjen për 30 % të rrogave të administratës në dikasterin që drejton, thotë se ministria e financave është institucioni me pagat më të ulëta , e përballet edhe me mungesë të punëtorëve.
“Duhet të ketë zgjidhje sistematike. Kishim probleme me resurset njerëzore, e si ministri u detyruam që të gjejmë zgjidhje. Njerëzit jepnin dorëheqje e gjatë konkurseve nuk paraqitej kuadër adekuat. Kjo është një zgjidhje e përkohshme derisa të zgjidhet i tërë sistemi në nivel të gjithë administratës publike, proces i cili është në rrjedhë e sipër.”, - theksoi ministri i financave, Fatmir Besimi.
Këto komente u dhanë pas nënshkrimit të kontratave për projektin, për ndërtimin e institucioneve llogaridhënëse, për menaxhimin e financave publike.
20 milion euro nga ky projekt do të jenë hua nga Banka Botërore, ndërsa 4,9 milion euro janë grant nga BE. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
