Kurti: Marrëveshja me Serbinë duhet të përfshijë njohjen
Propozimi i BE-së i njohur si plani franko-gjerman....

Propozimi i BE-së i njohur si plani franko-gjerman, për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të ketë njohjen reciproke në qendër. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke folur rreth takimit që ka zhvilluar mbrëmë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Le të mos harrojmë asnjëherë që Marrëveshja duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër, sepse vetëm asisoj e bëjmë normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”, - deklaroi kryeminsitri i RKS-së, Albin Kurti.
Sa i përket marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, Kurti thotë se është e vetmja marrëveshje që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese dhe se ajo marrëveshje nuk mund të ketë prioritet nga 33 marrëveshjet e arritura gjithsej.
“Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtare që Asociacioni I komunave me shumicë serbe, ashtu siç është nënshkruar më datën 19 prill 2013, pastaj i elaboruar në 7 kapituj me nënshkrimin e 25 gushtit 2015 të theksohet më shumë, por ajo marrëveshje është tashmë e theksuar, sepse është e vetmja marrëveshje nga 33 marrëveshjet e Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.”, - theksoi kryeminsitri i RKS-së, Albin Kurti.
Lajçak: U pajtuam për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit të mbrëmshëm me kryeministrin Kurti, ka deklaruar se me liderët kosovarë janë marrë vesh për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve.
“U ktheva sot në Kosovë për të vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me kryeministrin, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara nga dialogu duhet të zbatohen plotësisht.”, shkruan Lajçak në Twitter.
Ndërsa zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price ka deklaruar se ShBA-ja mbetet palë aktive në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe mbështet fuqishëm vazhdimin e negociatave të ndërmjetësuara nga BE. Ai njëherit kërkoi nga palët që të përmbushin përgjegjësitë e tyre.
Ndërsa, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë, se ekipi diplomatik evropiano-amerikan, i ka thënë atij se nëse ai nuk e pranon planin evropian për Kosovën, Serbia do të përballet me bllokim të investimeve dhe procesit të integrimit. (Safet Ademi, TVM2)
