Deklarata e Xhambaskit për Pendarovskin, Gir: E papranueshme, s’është vlerë e BE-së
Bashkimi Evropian kërkon nga Shkupi dhe Sofja

Bashkimi Evropian kërkon nga Shkupi dhe Sofja t’i ulin tensionet diplomatike dhe të vazhdojnë në avancimin e marrëdhënieve ndër-fqinjësore. Duke komentuar provokimet e eurodeputetit bullgar Angell Xhambaski, shefi i delegacionit të BE-së Dejvid Gir thotë se Parlamenti Evropian dhe ministria e jashtme bullgare distancohen nga këto deklarata dhe se si të tilla nuk përfaqësojnë vlerat e Bashkimit Evropian.
“Lidhur me qëndrimet e fundit të eurodeputetit Xhambaski për pretendime territoriale, Parlamenti Evropian dhe Ministria e Jashtme Bullgare janë distancuar nga këto deklarata. Pretendimet e tilla nuk përfaqësojnë dhe nuk mund të përfaqësojnë BE-në. Lidhur me vërejtjet e bëra dje ndaj presidentit Stevo Pendarovski, të cilat mund të interpretohen si kërcënim, kjo absolutisht nuk përfaqëson qëndrimin e BE-së. Është e papranueshme që një figurë publike të bëjë komente të tilla për dikë, e lëre më për kreun e shtetit të zgjedhur në mënyrë demokratike në një shtet sovran.”.
Brukseli zyrtar kërkon që të vihet fokusi në ndryshimet kushtetuese dhe vazhdimin e reformave dhe të mos u lejohet hapësirë provokimeve. Ripotencojnë se procesi integrues do të ndërpritet po që se nëntori e gjen vendin pa plotësuar kushtet që dolën nga propozimi francez.
Andaj, ftojnë partitë politike që ta shfrytëzojnë kohën për ndryshimet kushtetuese dhe mos të kalkulojnë në zgjedhje të parakohshme, sepse kjo sipas Brukselit ndikon në procesin integrues.
Edhe njëherë Bashkimi Evropian sqarohet se për shkak të problemeve historike dypalëshe me Bullgarinë nuk mund të ndërpriten bisedimet, por theksojnë rëndësinë që kanë raportet fqinjësore në këtë proces. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
