Artistë dhe aktivistë, reagime për shkarkimin e Bogoev si drejtor i QKR
Me thirrjet "Të gjithë për Qendrën kulturore rinore"...

Me thirrjet "Të gjithë për Qendrën kulturore rinore", artistë, muzikantë dhe aktivistë shprehën revoltën e tyre ndaj Qytetit të Shkupit për shkak të largimit të drejtorit Bogoev dhe uljen e buxhetit.
Ata thonë se Qendra Kulturore Rinore, nuk është thjesht një institucion tjetër i harruar nga koha, por një institucion që ndjek zhvillimin e artit, punon në mënyrë aktive dhe organizon evente.
“Qendra kulturore rinore është organizatore e më shumë se 10 festivaleve që janë mbajtur çdo vit dhe ju ta ndërpritni atë është turp.”, - theksoi artisti, Martin Xhorlev.
Kryetarja Arsovska i hodhi poshtë akuzat e shoqatës joformale, tha se Bogoev nuk është shkarkuar, por i ka skaduar kontrata, mjetet për qendrën kulturore rinore janë pakësuar dhe kjo nuk do të ndikojë në realizimin e programit, sepse institucioni është i vetëqëndrueshëm dhe merr subvencione.
Në kohën kur në Qendrën kulturore rinore bëhet revizion, Arsovska u kundërpërgjigj me kundërakuza, se në kohën e Bogoevit janë nxjerrë para nga qendra kulturore rinore, janë tërhequr 100.000 euro, ndërsa vitin e kaluar ishin të angazhuar kundër ligjit më shumë se 250 persona të afërt me VMRO-DPMNE.
“Janë paguar mijëra euro për angazhimin e këtyre personave të cilët duhet të theksoj janë punësuar pa respektuar asnjë procedurë apo ligj të angazhimit të tyre. Më konkretisht janë mbi 250 kontrata dhe mbi 90 kontrata gjatë punësimit të banakierëve të cilët janë paguar nga 350 deri në 700 euro për një muaj.”, - u shpreh kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
Kolegjiumi Programor i QKR-së i mohoi qëndrimet e deklaruara të Arsovskës. Edhe VMRO-DPMNE, mohon se Bogoev ka qenë anëtar i partisë, thonë se ulja e buxhetit është shumë më e madhe se ajo që tregon Arsovska, andaj kërkojnë rritje të mjeteve për qendrën kulturore rinore.
Sipas VMRO-DPMNE-së, ndërrimet e shpeshta të drejtorit janë tregues të pasigurisë së Arsovskës. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)