Veles, u ndanë çelësat për 12 banesa sociale
Dymbëdhjetë familje me të ardhura të ulëta...

Dymbëdhjetë familje me të ardhura të ulëta iu gëzuan folesë së tyre të re. Në Veles në kuadër të programit tradicional të Asociacionit për banim njerëzor “Habitat Maqedoni” u dorëzuan 12 çelësa të banesave sociale të sapondërtuara.
Kjo ishte ndërtesa e gjashtë dhe e fundit e ndërtuar në qytetin e Velesit për këtë qëllim.
“Motoja e “Habitat”- Maqedoni është se ajo i bashkon njerëzit dhe resurset në ndërtimin e shtëpive, bashkësive dhe shpresës. Pikërisht këtë moto në një mënyrë e shohim sot në mënyrë të materializuar përmes këtij ndërtimi.”, - deklaroi Dragan Malinovski, “Habitat”-Maqedoni.
“Më vjen mirë që sot jam pjesë e dorëzimit të çelësave për 12 familje me të ardhura të ulëta me çka “Habitat” po e rrumbullakëson këtë projekt, faktikisht me ndërtimin e kësaj ndërtese të gjashtë.”, - theksoi kryetari i komunës së Velesit, Marko Kolev.
Ky program sipas zëvendëskryeministrit, Fatmir Bytyqi është me rëndësi të veçantë, pasi jo vetëm në Veles por në të gjithë vendin po ndërtohen banesa për familjet të cilat nuk kanë mundësi të sigurojnë kulm mbi kokë.
“Katër vitet e kaluara janë ndërtuar apo kanë qenë në fazë të ndërtimit 864 banesa për qytetarë të kategorive të rrezikuara sociale. Vetëm këtë vit vazhdojmë të investojmë në ndërtimin e akoma më shumë banesave.”, - u shpreh zëvendëskryeministrja për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Për ndërtimin e kësaj ndërtese kontribut kanë dhënë 1.727 vullnetarë nga vende të ndryshme. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
